Pasdite përfundoi evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Izraeli, në ditët në vijim do të fillojë evakuimi edhe nga vendet tjera

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se, pasdite ka përfunduar me sukses procesi i evakuimit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut na Izraeli, raporton Portalb.mk.

Personat që kanë shprehur gatishmërinë për t’u evakuuar nga Izraeli kanë fluturuar për në Shkup me një aeroplan qeveritar.

Deri më tani, në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Abu Dhabi janë regjistruar 505 shtetas të Maqedonisë, nga të cilët 458 qëndrojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përveç kësaj, 31 persona janë regjistruar nga Kuvajti dhe 14 persona nga Bahreini. Në Doha, deri më sot, janë regjistruar 141 shtetas të Maqedonisë.

Në ditët në vijim, pritet të fillojë kthimi i shtetasve të Maqedonisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe qytetarëve që ndodhen në Katar, Bahrein dhe Kuvajt, për të cilët është planifikuar kthimi me fluturime të organizuara përmes Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Procesi i evakuimit po zbatohet sipas një plani të hartuar tashmë, në përputhje me kushtet e sigurisë dhe në koordinim me institucionet kompetente.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u bën thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që ende nuk kanë kontaktuar me përfaqësitë diplomatike dhe konsullore kompetente, dhe që kanë nevojë për ndihmë, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur përmes numrave të telefonit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore ose përmes numrit SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Ministria mbetet në komunikim të vazhdueshëm dhe plotësisht në dispozicion të qytetarëve, me qëllimin parësor kthimin e tyre të sigurt dhe në kohë”, thonë nga MPJTJ.

Ndryshe në Maqedoni u mblodh Këshilli i Sigurisë, pas çka u konstatua se situata aktualisht është e qëndrueshme dhe e sigurt.

Mëngjesin e 28 shkurtit Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.