Pasaportë digjitale dhe ndalime të reja për lodrat që hyjnë në tregun evropian

Këshilli Evropian ka miratuar rregulla të reja për të rritur sigurinë e lodrave në tregun evropian, përmes futjes së një “pasaporte digjitale” që do të ndihmojë në gjurmimin e lodrave, veçanërisht atyre të shitura online.

Gjithashtu, rregullorja ndalon përdorimin e substancave kimike të dëmshme për fëmijët, raportoi “Euronews”.

Sipas Shoqatës Evropiane të Industrisë së Lodrave (Toy Industries of Europe), e cila përfaqëson prodhuesit kryesorë të lodrave në BE, janë blerë mbi 100 lodra pa markë nga tregje online si AliExpress, Amazon Marketplace, Shein dhe Temu. Rezultatet treguan se 80% e këtyre lodrave nuk përmbushnin standardet e sigurisë së BE-së.

Rregullat e reja të miratuara të hënën përcaktojnë që çdo lodër që futet në tregun e BE-së – përfshirë edhe ato të shitura online – do të duhet të ketë një pasaportë digjitale. Kjo pasaportë do të lejojë konsumatorët dhe autoritetet që të verifikojnë nëse lodra përputhet me legjislacionin evropian.

Importuesit do të duhet të paraqesin këto pasaporta në pikat kufitare të BE-së. Një sistem i ri informatik do t’i kontrollojë ato automatikisht dhe do të identifikojë ngarkesat që kërkojnë kontroll të detajuar doganor.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi pas miratimit nga Parlamenti Evropian dhe do të zbatohet plotësisht pas një periudhe kalimtare prej më shumë se katër vjetësh, për t’i dhënë kohë industrisë të përshtatet.
“Ky hap do të përmirësojë luftën kundër lodrave të pasigurta në tregun evropian dhe do të sigurojë konkurrencë të ndershme për të gjithë prodhuesit,” thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian.

Teksti i ri ligjor përfshin edhe një ndalim të kufizuar të përdorimit të qëllimshëm të PFAS kimikate të lidhura me kancerin dhe rreziqe të tjera serioze shëndetësore – në lodra.

Danimarka, Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Suedia dorëzuan një propozim të përbashkët në vitin 2023 për ndalimin e prodhimit, shitjes dhe përdorimit të pothuajse të gjitha kimikateve PFAS në kuadër të rregullores REACH të BE-së, që rregullon përdorimin e substancave kimike dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut dhe mjedisin.