Pas zjarreve në jug, Turqia goditet nga vërshimet në veri

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet jashtëzakonisht të dendura e përfshinë bregdetin verior të Turqisë, duke shembur një urë dhe duke lënë disa fshatra pa energji elektrike.

Transmetuesi shtetëror, TRT Haber, tha se një person vdiq nga sulmi në zemër në provincën veriore, Bartin, dhe punëtorët e ekipeve emergjente janë duke kërkuar një person tjetër të zhdukur.

Trembëdhjetë persona u lënduan, pasi një urë u shemb në Bartin, ndërsa ndërprerje të rrymës ka në 12 fshatra, tha Presidenca për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave.

Në provincën Sinop, rreth 240 kilometra në lindje të provincës Bartin, një shtëpi u shemb nga vërshimet dhe veturat mbetën të ngujuara në ujë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive thanë se një spital është duke u evakuuar dhe disa rrugë janë mbyllur në Sinop, duke paralajmëruar se reshjet e fuqishme të shiut në zonë pritet të vazhdojnë.

Pjesa veriore e Turqisë është e ndjeshme ndaj vërshimeve të shpejta në verë, kur reshjet janë veçanërisht të fuqishme. Vitin e kaluar, së paku pesë persona vdiqën nga vërshimet në atë rajon.

Ndryshe, Turqia para disa ditësh u përball me zjarre shkatërruese në pjesën jugore, të cilat shkaktuan viktima, djegie të mijëra hektarëve me pyje dhe dëme tjera materiale.