Fejzi Hajdari
Kanë mbetur edhe disa ditë nga formimi i qeverisë teknike. Sipas marrëveshjes së Përzhinos, do të zgjedhet kryeministër i ri, kurse edhe disa ministri do t’i marrë në dorë opozita. Mendoj se në këtë moment është me rëndësi të ndalem vetëm te Ministria e Punëve të Brendshme. Pas tre viteve, këtë ministri me rëndësi të veçantë, sërish e marin nën kontroll VMRO-DPMNE-ja, e cila do ta ketë ministrin teknik dhe BDI-ja, e cila me gjasë do ta ketë zëvendës ministrin teknik.
Mendoj se jo vetëm tek unë, por edhe në memorien tuaj lexues të nderuar, me vetë përmendjen e faktit që MPB-në do ta rimarrin nën kontroll VMRO-ja dhe BDI-ja, rikthehen skenat e përgjakshme, jo aq të largëta në kohë, ku viktima ishin shqiptarët e Maqedonisë (tani të Veriut).
Sdi pse menjëherë më rikthehen fotografitë e rastit Monstra, ngjarjeve të Kumanovës, përgjakja e shqiptarëve nëpër autobusë e jashtë autobusëve, djegia e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov, Tradhtia e Kumanovës, … Ka edhe shumë raste që me një tekst ndoshta vështirë përmbledhen. Gjithsesi nuk duhet ta harrojmë as rastin e 27 Prillit, kur ministrin e kishte BDI-ja (ndoshta, mbi të gjitha këtë rast duhet ta kemi parasysh!).
Të gjitha këto raste të lartënumëruara, ndodhën në kohën kur në pushtet ishin VMRO-DPMNE-BDI, parti që kishin nën kontroll edhe Ministrinë e punëve të brendshme. Prandaj sado që nuk duam, sërish imponohet pyetja: A mund të rikthehen skenaret antishqiptare, me marrjen e sërishme të kontrollit mbi MPB-së nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së?
Nuk mund të jepet përgjigje e prerë në këtë pyetje, por duhet bërë analizë të fakteve.
Është fakt se VMRO-DPMNE e Mickovskit nuk është sikurse ajo e Gruevskit e Mijallkovit, dhe se ka pësuar disa reforma. Jo pse ndoshta vërtetë kanë dashur, por kanë qenë të detyruar, pas goditjes që ua dhanë shqiptarët në zgjedhjet e vitit 2016 (edhe VMRO-së edhe partnerit të tyre lojal). Njëkohësisht është fakt se VMRO-DPMNE do të ketë vetëm ministër teknik dhe se sektorët e rëndësishëm në këtë ministri nuk do të kontrollohen prej saj. Që do të thotë më pak kapacitet për të bë inskenime antishqiptare edhe nëse, por e përsëris nëse, kanë dëshirë për të bë diçka të tillë.
Mirëpo mendoj se ajo që duhet të na frikësojë është mosreformimi i mjaftueshëm i BDI-së. Kam përshtypjen se në këtë parti ende mbizotërojnë struktura të cilat më lehtë e paraqesin si sukses një situatë kur arrestohen 20 shqiptarë dhe 10 prej tyre lirohen, e 10 torturohen e dënohen me burg të përjetshëm.
Mendoj se BDI e ka perfeksionuar këtë strategji. Më duket se nuk kanë shumë prirje të realizojnë projekte konkrete, sa kanë prirje të na bindin se është sukses që të lirohen 10 prej 20 shqiptarëve të arrestuar, edhe pse pas 10-15 viteve do të shpallen të pafajshëm edhe ata 10 të tjerët që kanë mbetur në burg. Mendoj se në këtë parti ka shumë përkrahës të filozofisë së Gordana Jankullovskës se kur janë në pyetje shqiptarët, “mbi 10 vite burg më nuk numërohen”, pa marrë parasysh a janë fajtorë apo të pafajshëm. Këtyre elementeve në BDI, që kanë ndikim të fuqishëm në parti, mendoj se nuk do t’u pengonte edhe aq shumë, nëse ndodh ndonjë skenar polcor ose parapolicor antishqiptar!
Edhe nëse kjo është për t’u brengosur, nuk kemi nevojë të frikësohemi. Dorën në zemër, duhet ta pranojmë se pjesë të fakit për skenarët që na ndodhën në të kaluarën, kemi edhe vetë ne shqiptarët. Sepse kur ndodhte skenari në Shkup, Tetova e Kumanova ja fusnin gjumë. Kur ndodhte në Kumanovë, Shkupi, Tetova e Gostivari flinin sikur të jenë në ndonjë planet tjetër. Njëjtë reagonte edhe Dibra, Kërçova e Struga, por edhe shqiptarët e qyteteve tjera ndaj tyre. Tereni ishte i hapur që strukturat antishqiptare të zbatojnë skenare kundër nesh. U besonim rrenave të tellallëve partiakë që thonin “po e menaxhojmë situatën” edhe pse vriteshin njerëz, digjeshin e graatoheshin lagje të tëra. Prandaj nuk duhet të lejojmë më një gjë të tillë. Çdo skenari eventual duhet t’i përgjigjemi bashkërisht. Nuk duhet të reagojmë me gjak nxehtë, por me kokë të ftohtë. Duhet ta ndryshojmë qasjen tonë ndaj fajtorëve për të këqijat që na ndodhin. Nuk duhet të akuzojmë të tjerët. Duhet të jemi të vetëdijshëm se as maqedonasit, as serbët, as rusët, ose kushdo tjetër që na e don të keqen, nuk munden të realizojë skenare kundër nesh, pa e pasur “patericën” e tyre shqiptare. prandaj edhe mbrojtja më e mirë është tua thyejmë këtë “patericë”. Këtë duhet ta kemi ndërmend gjatë tërë kohës. Nëse brenda një ore 10 mijë shqiptarë e rrethojnë selinë e UDB-së, në rast të ndonjë skenari eventual të montuar antishqiptar, ai skenar qind për qind do të dështojë. Nëse vonohemi më tepër, rriten gjasat që skenari të ketë sukses. Me një fjalë, nëse armiqve tanë ua thyejmë “patericën” e tyre, atëherë askush asgjë nuk mund të na bëjë.
Maqedoni Pas tre viteve, VMRO dhe BDI prap do të udhëheqin bashkë MPB-në!...