Pas shumë viteve, diaspora shqiptare sërish do e vendosë fituesin e zgjedhjeve në Maqedoni

Edhe pse kishte dhënë kontribut të pamohueshëm për të drejtat dhe liritë tona, diaspora shqiptare gjatë kohë u përjashtua nga mundësia për të votuar në Maqedoni, sepse zgjedhjet caktoheshin në periudha të vitit kur diaspora nuk mundet të udhëtojë në vendlindje. Përjashtimi i diasporës nga vendimmarrja bëhej pikërisht nga ata që më së shumti ia kishin pa hairin diasporës. Por gjithçka do të jetë më ndryshe më 12 prill. Zgjedhjet edhe zyrtarisht do të mbahen në këtë datë edhe pse pati pretendime që ajo të ndryshohet. Kjo është një datë që i konvenon më së tepërmi diasporës për të ardhur në vendlindje, sepse në vendet perëndimore në këtë periudhë janë festat katolike të Pashkëve, prandaj ka pushim njëjavor.
Ky është një rast i mirë për bashkëkombasit tanë që të vijnë në vendlindje dhe 12 prilli i vitit 2020 të shënohet në histori si një datë e re në të cilën diaspora do ta thotë fjalën e vetë në avancimin e çështjes shqiptare. Do të jetë një datë kur diaspora shqiptare nga Maqedonia ka rastin të sjellë ndryshimin e madh, ashtu siç solli në Kosovë, duke ardhur nga vendet më të largëta për të përkrahur Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

Mjerë ata që pasi u akomoduan në kolltuqe, e përjashtuan diasporën nga vendimmarrja dhe i harruan gjithë të mirat që ua kish bë diaspora. Ata i pret një goditje e fuqishme në zgjedhjet e 12 prillit.