Këshilli i Evropës e përjashtoi pak ditë më parë Rusinë nga organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent, për shkak të agresionit dhe luftës së Moskës në Ukrainë.
Këshilli i Ministrave i organizatës prej 47 vendesh anëtare tha në një deklaratë se “Federata Ruse nga sot nuk është më anëtare e Këshillit të Evropës”.
Në një lëvizje shumë simbolike pas vendimit, personeli i Këshillit të Evropës doli jashtë selisë së tij në Strasburg dhe e hoqi flamurin rus, duke e palosur atë me kujdes pas heqjes së tij. Rusia kishte qenë anëtare e grupit për 26 vite.
Javën e kaluar Rusia iu përgjigj Këshillit të Evropës, cili e pezulloi anëtarësimin e saj duke fajësuar BE-në dhe NATO-n për minimin e Këshillit të Evropës. Rusia tha se nuk do të merrte më pjesë në këtë organizëm.
Këshilli i Evropës merret me zhvillimin dhe mbikëqyrjen e demokracisë, sundimit të rendit dhe ligjit, dhe të drejtat e njeriut.
Pas këtij vendimi, ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka deklaruar se përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës le t’i paraprijë anëtarësimit të Kosovës në KE.
“Përjashtimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës le t’i paraprijë anëtarësimit të Kosovës! Mundësi të tilla të arta nuk injorohen, por shfrytëzohen! Është koha që Kosova të aplikojë, jo nesër, por sot!”, ka shkruar Enver Hoxhaj.
Mirëpo, a është ky momenti që Kosova të aplikoj në Këshillin e Evropës?
Mehazi: Osmani dhe Kurti, këtë situatë anti-ruse duhet shfrytëzuar me inteligjencë
Profesori universitar, Sulejman Mehazi lidhur me këtë thotë se, simbolika e përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës është vërejtje paralajmëruese edhe për Serbinë dhe ky eliminim i Rusisë plotësisht i jep të drejtë Kosovës që të aplikojë për t’u anëtarësuar në këto instancat më të larta evropiane.
“Elita politike e Kosovës, presidentja, Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, këtë situatë anti-ruse në përkrahje të Serbisë si e qysh duhet shfrytëzuar me inteligjencë e maturi politike e diplomatike, po edhe nëse Këshilli i Evropës refuzon kërkesën e Kosovës për anëtarësim, s’është aspak mohuese, përkundrazi jep shenja politike se Kosova është me BE-në e kundër Rusisë së Putinit. Largimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, Qeverisë së Kosovës jo vetëm që i jepet e drejtë aplikuese në Këshillin Evropian, po duhet shkuar dhe më tej, duhet bërë kërkesë edhe ndaj seksioneve serbe, e cila me anë të Rusisë së Putinit jo që rrezikon Kosovën, por edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor: Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi pse jo edhe RMV-në që është anëtare e NATO-s, pasi Rusia në Ukrainë lufton kundër NATO-s e jo kundër vëllezërve ukrainas”, vlerëson Mehazi.
Profesor Mehazi thotë tutje se, nëse Rusia është e përjashtuar nga Këshilli Evropian, pse mos të sanksionohen edhe shtetet evropiane ballkanike që e përkrahin e janë në anën e agresionit rus sikurse që është Serbia.
“Kërkesa e Kosovës duhet të jetë, se, nëse Republika e Kosovës nuk anëtarësohet në Këshillin e Evropës atëherë zjarret ruse të luftës me anë të Serbisë mund ta kallin Ballkanin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, duhet paralajmëruar BE-në, se gogolët e luftës ruse në Ballkan janë serbët”, thotë ai.
Mulliqi: Të shfrytëzohet rasti që Kosova të bëhet edhe pjesë e NATO-s
Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi thotë se pas dështimit të gjatë në politikën e jashtme, ka ardhur koha e intensifikimit të lobimit për tu inkuadruar në shumë struktura relevante të BE-së.
“Dihet se kishim për shumë kohë diplomatë jo të aftë, dhe kishim ministra të punëve të jashtme pa zotësi, të cilët bënë që Kosova të mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Nuk pamë angazhim të duhur të pushteteve të vjetra, të cilat lanë anash shtetndërtimin, mirëqenien dhe angazhimin për njohje të reja, dhe për njohje nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk na kanë njohur, dhe të cilat janë bërë pengesë e madhe, që të kemi edhe liberalizim të vizave”, thekson ai.
Sipas tij, Greqia dhe Spanja në vitet e fundit shumë kanë shprehur gatishmëri bashkëpunimi diplomatik e ekonomik me Kosovën, dhe kanë shprehur edhe gatishmëri, që në një të ardhme jo të largët ta pranojnë pavarësinë.
“Këto ngecje të mëdha të politikave të jashtme ka ardhur koha të riparohen me diplomatë të karrierës, me njerëz të përgatitur profesionalisht dhe moralisht, që më në fund t’i kthejnë politikat e jashtme në favor të Kosovës. Mungojë angazhimi që të stopohet lobimi i Serbisë në shumë vende të botës, ku edhe na ndodhën edhe 17 ҫ’njohe që është e pafalshme për politikat e jashtme të vendit”, thotë Mulliqi.
Analisti thekson se kur bëhet fjalë për temën e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është i mundshëm, por me kusht që diplomacia jonë dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, zonja Gërvalla, të angazhohen te vendet e BE-së, të cilat dorën në zemër nuk na kanë përkrahur shumë në këtë drejtim, dhe të angazhohen te shtetet, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
“Duhet t’i kemi dy të tretat që ta kemi përkrahjen për anëtarësim, në asamblenë parlamentare. Kosova i plotëson shumë kritere dhe standarde të kërkuara. Tash mbas ngjarjeve të shpërthimit të luftës në Ukrainë, kur Rusia është pezulluar nga ky Këshill, duhet të shfrytëzohet rasti që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e këtij organizmi shumë të rëndësishëm të Evropës. Shenja pozitive për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka dhënë edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Mendoj se kjo është mundësi e mirë, pasi që një prej kundërshtuesve Rusia, është pezulluar, duke gjetur shumicën e anëtarëve të Këshillit, të cilët do të votonin pro Kosovës”, vlerëson ai.
Mulliqi thotë po ashtu se, angazhimet tona nuk duhet të ndalen vetëm këtu, por të shfrytëzohet rasti që Kosova të bëhet edhe pjesë e NATO-s.
“Disponimi pas agresionit ushtarak rus ekziston te vendet e BE-së dhe te Amerika që edhe vendi ynë të hyjë nën ombrellën e këtyre strukturave, jetike për të ardhmen e Kosovës, dhe për mbretje nga një luftë evenuale, të cilën po e mendojnë Putini dhe Vuçiqi, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Institucionet e shtetit pozitë dhe opozitë, e cila nuk po tregohet shumë konstruktive as për temat qenësore, duhet të bëhen një, në këto momente të vështira ku po kalon bota demokratike, pas invazionit rus mbi një shtet sovran siҫ është Ukraina”, thotë analisti Mulliqi për ‘Bota sot’.