Pas protestës së djeshme, Rama vizitë në vilën e Enverit: Artistët i gjeta të traumatizuar!

Kryeministri Edi Rama ka vizituar ambientet e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, e kthyer në rezidencë për artistët e huaj, nën fondacionin Art Explora.

Rama u shpreh se gjatë vizitës së shkurtër ka takuar të rinj të talentuar që “ishin traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme”, duke iu referuar protestës së opozitës.

Reagimi i plotë:

Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.

Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!

Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!

Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!.