Lideri i Opozitës në Izrael, Yair Lapid, dhe lideri i Partisë Demokratike të Izraelit, Yair Golan, i kanë bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut që të ecë përpara me planin e paqes të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Në këtë moment, misioni ynë kolektiv është të mos lejojmë asnjë – as Hamasin, as Netanyahun dhe qeverinë e tij – asnjë mundësi për të sabotuar marrëveshjen e Trump”, shkruan Golan në X, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Lideri i partisë Demokratike thotë se Izraeli duhet “të ecë përpara dhe të luftojë me të gjitha mjetet” për të siguruar që një marrëveshje të zbatohet, pengjet të lirohen, sundimi i Hamasit të marrë fund dhe Rripi i Gazës të rindërtohet.
Lapid thotë se i ka thënë administratës amerikane se kryeministri i Izraelit, Netanyahu, ka mbështetjen politike për të vazhduar procesin për t’i dhënë fund luftës.
“Izraeli duhet të njoftojë se po bashkohet me diskutimet e udhëhequra nga presidenti për të finalizuar detajet e marrëveshjes”, shkruan Lapid në X.
Ndryshe, Izraeli i është përgjigjur pozitivisht urdhrit të Trumpit për t’i ndaluar bombardimet në Gaza.
Një reporter për stacionin zyrtar ushtarak të Izraelit, Galatz, ka postuar se ushtria izraelite do ta zvogëlojë aktivitetin e trupave të saj në Gaza “në minimum”.
“Pas njoftimit të Trump – niveli politik udhëzoi IDF-në të ndalojë operacionin për të pushtuar Gazën”, shkroi reporteri Doron Kadosh në X.
Duke shkruar në hebraisht, ai shton se ushtria është udhëzuar të kryejë vetëm operacione mbrojtëse.