Pas idesë së Lavrovit, Vuçiq i gatshëm ta ofrojë Beogradin si vend për negociatat Rusi-Ukrainë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëse dikush mendon se Beogradi është vendi më i mirë për negociata, është i gatshëm siç tha ai “t’ua ofrojë miqve rusë dhe ukrainas”.

Kreu i shtetit serb në një intervistë në TV Happy duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë ruse Sergei Lavrov tha se Beogradi do të ishte një vend i mirë për negociata mes Ukrainës dhe Rusisë.

Sipas tij, kryeqyteti i Serbisë tashmë ishte një vend për negociata, si në lidhje me këtë krizë poashtu edhe me bisedimet me talebanët.

Mes tjerash, Vuçiq deklaroi se është shumë i shqetësuar për situatën në Ukrainë, sepse sipas tij ende nuk e sheh që konflikti do të përfundojë së shpejti.

“Situata është e vështirë dhe është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar ekonominë”, shtoi ai.

Vuçiq njëherit ka lavdëruar kryediplomatin rus duke thënë se Lavrov e njeh jashtëzakonisht mirë diplomacinë botërore dhe i kupton gjërat shumë mirë.

“Kam biseduar shumë herë me Lavrovin, ai e njeh jashtëzakonisht mirë diplomacinë botërore dhe nuk ke pse t’i thuash asgjë. Ai i kupton gjërat mirë, siç i kuptojnë ambasadorët e Rusisë dhe Ukrainës në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko dhe Oleksandr Aleksandroviq, të cilët e kuptojnë mirë Serbinë”, shtoi ai.

Ishte shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ai i cili erdhi me idenë se bisedimet për paqe të vendit të tij me Ukrainën mund të zhvillohen në Beograd.

Në një deklaratë bërë të hënën për mediat serbe ai tha se janë të gatshëm të shqyrtojnë edhe lokacione të tjera për negociata, përfshirë Beogradin, përveç Stambollit, ku tashmë po mbahet një takim.

“Beogradi, me statusin e tij si qytet dhe këndvështrimin e tij, është plotësisht përgjegjës për çdo negociatë në të gjitha nivelet,” tha Lavrov.

Një delegacion ukrainas ka arritur në Stamboll të Turqisë për bisedimet për paqe me homologët e tyre rusë që kanë nisur në orën 10:00 me kohën lokale.

Delegacioni udhëhiqet nga ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov, si dhe Mikhail Podolyak, kreu i zyrës së presidentit,Volodymyr Zelensky, njofton Klankosova.tv.

Nikoqir i bisedimeve ballë për ballë, të parat në më shumë se dy javë, do të jetë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Ai ka thënë se tani është koha për të “pritur rezultate solide” nga raundi i fundit i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Vendi të cilin e drejton Erdogan, Turqia, është anëtare e NATO-s, i cili po ruan lidhje të forta me Rusinë.

Udhëheqësi i Turqisë i ka rezistuar bashkimit me sanksionet e Perëndimit kundër Moskës – një nga vendet e pakta që ende po e bën një gjë të tillë./Klankosova.tv/.