Pas dorëheqjes nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se mbështet Bedri Hamzën për kryetar të partisë, në rast se ai vendos të kandidojë, përcjell TV21. Krasniqi tha se nuk mund të sigurojë se kara do të jetë sikurse kur ai u bë kryetar, respektivisht ka kundërkandidatë.
“Unë jam i bindur që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër duhet të jetë Bedri Hamza, sepse jam po ashtu i bindur që është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Dhe normalisht që nëse miku im Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ai e ka mbështetjen time të plotë, sepse besoj në lidership-in e tij dhe besoj që është figura e cila mund t’i prijë Partisë Demokratike të Kosovës në fazën e ardhshme. Gara është e hapur. Kushdo që i plotëson kriteret statuture dhe të rregullores së konventës ka drejtë për të garuar. Ka pasur gjithmonë dy herët e kaluara kur kam garuar s’kam pas kundër kandidat. Nuk mund të them a do të ketë tash. Nuk mund të them për askënd që do të garoj, por preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fsheh, përkundrazi. Me kënaqësi e bëj publike”, tha Krasniqi.




