Pas dobësimit të BDI-së dhe largimit të Ivanovit, rritet numri i ambasadorëve shqiptarë në Maqedoni

Në seancë të mbyllur, Qeveria miratoi listën me 19 propozime për emërimin e ambasadorëve të RMVsë në shtete të ndryshme. Pas çka lista pritet t’i dorëzohet Presidentit, Stevo Pendarovski.
Alsat M jozyrtarisht mëson se ndër propozimet për ambasadorë, që u miratuan nga Qeveria janë: Rami Rexhepi Romë, Shpresa Jusufi Prishtinë, Shaban Jashari Katar, Milaim Fetai Zagreb, Faton Bejta Kopenhagë.
Poashtu janë propozuar edhe Beti Jaçeva Hagë, Vasko Gërkov Beograd, Sashko Todorovski Strazburg, Misho Dokmanoviq Tel Aviv, Danço Markoviç Tiranë, Dane Talevski NATO.
Analistët shqiptarë thonë se pas një kohe të gjatë janë debllokuar shqiptarët në diplomacinë e Maqedonisë. Sipas tyre, ky hap vjen pas dobësimit të BDI-së dhe largimi të Gjorgje Ivanovit nga posti i presidentit, për zgjedhjen e të cilit nuk kanë dyshim “se edhe në mandatin e parë edhe në të dytin u zgjodh me ndihmën e BDI-së”.

“Në mesin e ambasadorëve të sapoemëruar ka edhe emra të militantëve partiakë që ndoshta nuk meritojnë post ambasadori, por me rëndësi është që pas një kohe të gjatë shqiptarët u debllokuan në diplomacy”, thonë njohësit e rrethanave në diplomacinë e Maqedonisë.
Ata veçanërisht theksojnë faktin se për herë të parë Maqedonia në Kosovë emëron ambassador shqiptar, duke shtuar se një gjë e tillë nuk mund të paramendohej sa ishin të forta VMRO-ja dhe BDI-ja dhe deri sa “kandidati i tyre” Gjorge Ivanov ishte president.
Nga emrat e shpalosur më lartë, vetëm katër kandidatët e parë janë diplomatë karriere, ndërsa sipas propozim ligjit të ri për punë të jashtme, 80% e ambasadorëve duhet të jenë diplomatë karriere.
Në listën që sot shqyrtoi ekzekutivi fillimisht kishte 21 propozime, por për 2 prej tyre vazhdojnë shqyrtimet. Kështu që, mbetet të zgjedhet mes Teuta Demjahës ose Andrej Zhernovskit për shefin e misionit diplomatiko konsullor pranë OKBsë në Zhenevë.
Ndërsa mbetet të definohet edhe ambasadori i ardhshëm në Uashington, SHBA për të cilën pozitë ishte përfolur kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Arifi nuk kishte fshehur ambiciet e saja për këtë pozitë, andaj mbetet e paqartë pse në seancën e sotme Qeveria nuk gjeti “gjuhë të përbashkët”. Përndryshe, në reagimin e fundit, partia më e madhe opozitare kishte paralajmëruar partitë në pushtet që të mos emërojnë ambasadorë partiakë, për shkak se të njëjtët do të shkarkohen nëse në zgjedhje fiton VMROja.
Tashmë një kohë të gjatë 23 ambasada të Maqedonisë së Veriut në botë kishin mbetur pa ambasadorë, për shkak të mos pajtueshmërisë së Presidentit të mëparshëm, Gjorge Ivanov.