Pas dekadash neglizhence, ka nisur pastrimi i Stacionit Hekurudhor në Shkup, po përgatitet edhe projekt për rikonstruim të plotë

Stacioni Hekurudhor në Shkup, i cili për vite me radhë ishte lënë në prag të jofunksionalitetit dhe mungesës së higjienës, më në fund po pastrohet dhe po rregullohet. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, Sinisha Ivanovski, informoi se ka nisur një aksion për rikthimin e pamjes përfaqësuese të këtij objekti, transmeton Portalb.mk.

Sipas Ivanovskit, dekadat e neglizhencës institucionale dhe shoqërore e kanë shndërruar stacionin në një objekt jopërfaqësues, “zbukuruar” me billborde, postera ilegalë, grafite dhe përmbajtje të papërshtatshme, si dhe me higjienë të pamjaftueshme.

Stacioni Hekurudhor Shkup/Foto: Ministria e Transportit
Stacioni Hekurudhor Shkup/Foto: Ministria e Transportit

Si hap i parë i pastrimit të paralajmëruar, Ivanovski tha se tashmë janë hequr pothuajse të gjitha billbordet, reklamat ndriçuese dhe posterat informativë të grumbulluar prej vitesh.

Ivanovski theksoi se një nga subjektet komerciale ka refuzuar ta heqë vetë reklamën e tij.

“Ka mbetur edhe një reklamë ndriçuese e ‘Hamza doner’, të cilët refuzojnë ta largojnë. Nëse nuk e heqin brenda shtatë ditësh, kontrata e qirasë do t’u ndërpritet”, tha drejtori i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”.

Pas pastrimit të kaosit me reklamat, ekipet në terren do të vazhdojnë me aktivitete për ngritjen e higjienës së përgjithshme në pjesën e brendshme dhe të jashtme të objektit.

Stacioni Hekurudhor Shkup/Foto: Ministria e Transportit
Stacioni Hekurudhor Shkup/Foto: Ministria e Transportit

Paralelisht me pastrimin, menaxhmenti i ndërmarrjes tashmë po ndërmerr hapa për një zgjidhje afatgjatë dhe modernizim të stacionit. Për këtë qëllim janë vendosur bashkëpunime me institucione kyçe shkencore dhe arsimore.

“Për momentin, së bashku me Fakultetin e Arkitekturës po punojmë në projektimin e rikonstruksionit të plotë të stacionit hekurudhor, ndërsa me Institutin për Inxhinieri Sizmike dhe Sizmologji Inxhinierike (IZIIS) po kontrollojmë konstruksionin e stacionit”, tha Ivanovski.

Nga ndërmarrja publike pranojnë se procesi i rikthimit të pamjes normale të Stacionit Hekurudhor nuk do të jetë i lehtë, por theksojnë se ndryshimet duhet të fillojnë menjëherë. Për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të përditshme në terren, Ivanovski shprehu falënderim edhe për stacionin policor të MPB-së, i cili ndodhet brenda vetë objektit.

Ndryshe, sipas paralajmërimeve të ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski, nga shtatori i këtij viti pritet të vihet në funksion linja e parë e projektit “Treni Urban”, i cili do të qarkullojë nga Zelenikova përmes Draçevës, Kisella Vodës, Aerodromit deri te Stacioni Hekurudhor në Shkup.