Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur thirrje publike për pranimin e 200 nxënësve në Shkollën e re të Mesme Shtetërore Policore – Akademia Policore, për vitin shkollor 2026/2027. Me këtë vendim, pas një pauze prej 26 vitesh, rikthehet sërish arsimi i mesëm policor në vend, njofton PaCensurë.
Gjenerata e re do të shkollëzohet nën moton “Vish uniformën me krenari!”, ndërsa mësimi do të zhvillohet në kuadër të Akademisë Policore në Idrizovë, ku nxënësit do të qëndrojnë në konvikt dhe do të ndjekin mësim profesional dhe të përgjithshëm. Të drejtë aplikimi kanë nxënësit që kanë përfunduar vitin e dytë të arsimit të mesëm katërvjeçar, ndërsa kushtet përfshijnë shëndet të mirë, aftësi psikofizike, si dhe sukses të përgjithshëm së paku “mirë”.
Përzgjedhja do të zhvillohet në tre faza – kontroll i aftësive motorike, test me shkrim dhe intervistë, pas së cilave do të përpilohet lista përfundimtare sipas pikëve të fituara. Pas përfundimit me sukses të shkollimit dhe maturës shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme do t’u sigurojë vend pune si policë, gjë që rrit edhe më shumë interesimin për konkursin e ri.



