Partitë nisin mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president

Kandidatët që kanë hyrë në garë për president të vendin, nisën grumbullimin e nënshkrimeve, afat ky që do të përfundoj më 8 mars në orën 24:00. Zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi njoftoi se partia e tij ka nisur me mbledhjen e nënshrkimeve për kandidatin e tyre Bujar Osmanin, për të cilin kërkoi mbështetjen e gjithë qytetarëve që ta nxjerrin fitues.

Arbër Ademi, zëdhënës i BDI-së

“Kërkojmë përkrahje absolute, masive të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për kandidaturën e Bujar Osmanit që të na mundësojë ta ndryshojmë kushtetutën njëkohësisht, edhe për zgjedhjen e Presidentit dhe amandamentet kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Kjo do të jetë qëndrimi i BDI-së edhe për rreth të dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe për zgjedhjet parlamentare dhe ne do t’ia arrijmë”.

Ndërkaq, në LSDM ende nuk është finalizuar kandidati i tyre, por presidenti aktual Stevo Pendarovski sipas kryetarit të LSDM-së Dimitar Kovaçevskin, është kandidat serioz.

Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së

“Tek ne procedura ende nuk është përfunduar, megjithatë Pendarovski është kandidat serioz. Kuvendi qëndror dhe ai ekzekutiv do ta sjellin vendimin se kush do të jetë kandidat për president i LSDM-së dhe i partive të koalicionit, në zgjedhjet e ardhshme dhe ato takime do të mbahen ditëve në vijim”.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE pohoi se Gordana Siljanovska, është kandidatja e vetme që e ka paraqitur kandidaturën për president.

Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së

“Afati i paraqitjes së kandidaturave ka përfunduar, sipas rregullave tona, zgjidhja bëhet në konventë dhe deri në afatin e fundit vetëm profesoresha Siljanovska ka paraqitur kandidaturë”.

Koalicioni VLEN të bindur se kandidati i tyre Arben Taravari, do të dalë fitues.

Besar Durmishi, VLEN  

“Arben Taravari do të fitoj bindshëm si kandidat për president sepse qytetarët e dijnë kush vlenë. Më 8 maj gurin të cilin po mundoheni të ja hidhni të tjerëve do të ju bjerë në kokën tuaj dhe më 9 maj, vendi do të jetë përfundimisht i çliruar nga Rusia, ndërsa do të frymoj, fryma pro- evropiane, fryma pro-amerikane”.

Nënshkrimet nisën t’i grumbullojnë edhe kandidatja e Partisë Demokratike Boshnjake Mersiha Smailoviq, dhe ajo e partisë E Majta, Biljana Vankovska.

Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10.000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore.

Ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët.