Partitë, në kërkim të votave për ndryshimet kushtetuese

Partitë politike në pushtet në Maqedoninë e Veriut thonë se përmes deputetëve të tyre në Kuvend, por edhe formave tjera të komunikimit, po bëjnë përpjekje për të bindur deputetët e opozitës që të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimet duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike.

Pas refuzimit të vazhdueshëm të VMRO-DPMNE-së opozitare për t’i dhënë mbështetje ndryshimeve, partitë në pushtet kanë nisur kontaktet me deputetët për t’i bindur në sigurimin e votës së tyre.

“Ne po veprojmë në mënyrë individuale, por edhe grupore, në kuadër në debatit në Kuvend, por edhe në raste tjera që të bindim deputetët që të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Këtë e kemi bërë edhe në rrjetet sociale, në takime, e kështu me radhë. Ndryshimet kushtetuese janë për të mirën e këtij vendi, për të ardhmen e qytetarëve tanë”, thotë deputeti i Lidhjes Social Demokrate (LSDM) në pushtet, Martin Kostovski.

Nënkryetarja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, beson se në radhët e opozitës ka “forca progresiste” që janë të interesuara për të ardhmen e vendit, e që mund të arrihet me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen deri në nëntor, në të kundërtën nuk do të mund të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare, BE-Maqedonia e Veriut.

“Konsideroj se ka forca progresiste të cilët duan që të shkojmë përpara prandaj edhe jam optimiste, dhe këtë e kam thënë disa herë që duhet dhe mund të miratojnë ndryshimet kushtetuese. Alternativë tjetër për vendin tonë nuk ka. Besoj se ka deputetë që këtë e kanë të qartë”, shprehet Llukrevska.

Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se janë “kompakt” dhe se përpjekjet e pushtetit nuk do të kenë sukses për sigurimin e votave të tyre.

“Askush nga grupi parlamentar i VMRO-së dhe koalicioni nuk është naiv. Është me të vërtetë një kurth që i ngrenë shtetit ose me shkujdesje ose me keqdashje. Propozimi francez është një kurth dhe kjo është e qartë. Nuk ka njerëz naiv që do të bien në atë kurth. Në këto rrethana, si janë vendosur gjërat, mendoj se është shumë ambicioze që dikush, që nuk ka qenë kurrë në zgjedhje, të mendojë se do të ndryshojë mendimin e atyre që janë zgjedhur në zgjedhje”, thotë Mile Lefkov, deputet i VMRO-së.

Deputeti tjetër i kësaj partie opozitare, Antonio Milloshoski, thotë se është e pamundur të përsëritet skenari i vitit 2019, kur sipas tij, Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit u votua në Kuvendin maqedonas me presione dhe shantazhe mbi deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Votat e tetë deputetëve të kësaj partie ishin vendimtare që të miratohej marrëveshja me Greqinë.

“LSDM-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim [BDI] kanë përvojë në rrëmbimin e deputetëve, të japin ryshfete, të bëjnë ndalime, të kërcënojnë, të shantazhojnë. Kjo është parë në gjashtë vjetët e fundit. Por, tani rrethanat kanë ndryshuar. Ndryshe nga anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në BE është një objektiv lëvizës dhe i gjithë rajoni po bëhet gjithnjë e më i frustruar çdo vit. Me këtë Qeveri mendoj se as disa deputetë të tyre nuk do të donin të diskutonin për lëvizje të rrezikshme, e lëre më për deputetët e opozitës që kanë një qëndrim të qartë”, thotë Milloshoski.

Përveç deputetëve të VMRO-së, ka edhe deputetë të partive opozitare shqiptare që nuk mbështesin ndryshimet kushtetuese.

Derisa opozita maqedonase nuk i mbështet me arsyetimin se marrëveshja me Sofjen “dëmton interesat kombëtare maqedonase” dhe se nuk është garanci se pala bullgare nuk do të paraqesë kërkesa tjera, deputetët e opozitës shqiptare mbështetjen e kushtëzojnë me ndryshimin edhe të formulimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.

Ajo momentalisht njihet vetëm si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

“Unë nuk do të votoj nëse 20 për qindëshi nuk është pjesë e debatit dhe pjesë e ndryshimeve kushtetuese. Nëse nuk votohet edhe për këtë unë nuk do të votoj. Nuk do të votohet as preambula”, thekson Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Nga BDI-ja, që është pjesë e Qeverisë, thonë se partitë opozitare shqiptare nuk duhet të “bien në skenarët e atyre që punojnë kundër perspektivës evropiane të vendit”.

“Partitë politike opozitare shqiptare duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Të mos futemi në skenarët e dashakëqijve që nuk e duan ardhmen dhe perspektivën evropiane të këtij vendi”, thotë deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.

Ndryshimet kushtetuese miratohet me dy të tretat, apo 80 nga 120 votat e deputetëve në Kuvendin maqedonas.

Shumica parlamentare aktualisht ka 64 deputetë dhe për miratimin e ndryshimeve i nevojiten votat edhe të deputetëve të opozitës.

Në rast të dështimit të këtij procesi, Maqedonia e Veriut pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat kërkohen në vazhdimësi nga opozita maqedonase./REL