Partitë heshtin lidhur me “kalkulimet e balotazhit”

Pas rezultateve të ngushta të raundit të parë, partitë kryesore, LVV, LDK, PDK e AAK kanë arritur disa marrëveshje për komunat më të vogla, ndërsa diskutimet për Prishtinën, Mitrovicën e Jugut, Prizrenin, Pejën, Suharekën dhe Gjakovën nuk janë zbardhur ende. Njohës të zhvillimeve thonë se me gjithë përpjekjet e partive për ta orientuar votën e qytetarëve, kriza e besimit do të reflektohet edhe në balotazh
Me afrimin e balotazhit të 9 nëntorit, negociatat mes partive politike për marrëveshje politike pritet të intensifikohen. Pas raundit të parë që nxori në pah garë të ngushtë në shumë komuna, partitë kryesore arritën disa marrëveshje për bashkëpunim në komunat më të vogla.

Megjithatë, të heshtura po i mbajnë diskutimet për komunat më të mëdha si Prishtina, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Peja, Suhareka dhe Gjakova.

E të martën kandidati i Vetëvendosjes në Pejë, Taulant Kelmendi i cili e sfidon Gazmend Muhaxhirin e LDK-së i ka dërguar ftesë për koalicion AAK-së.

“Sot, si kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës, i kam dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kryetarit të AAK në Pejë, Dr. Ali Berisha. Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim. Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të marrë përgjegjësi për Pejën dhe të vendosë në qendër punën, drejtësinë dhe qytetarin. Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund. Më 9 nëntor fiton Peja, sepse jemi BASHKË me qytetarët që e votuan ndryshimin!”, ka shkruar ai.

Në Prishtinë, gara mes kandidatit të LDK-së, Përparim Rama dhe atij të LVV-së, Hajrullah Çeku pritet të jetë ndër më të ngushtat e pasluftës. PDK-ja që doli si subjekt i tretë zyrtarisht ende nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë ndonjërin prej tyre.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe Mitrovicë, ku në balotazh garojnë Faton Peci i Vetëvendosjes dhe Arian Tahiri i PDK-së. Votat e kandidatit të LDK-së që doli i treti në këtë komunë mund të jenë përcaktuese për fitore në balotazh. Marrëveshje nuk ka as për Prizrenin ku në raundin e dytë ballafaqohen Shaqir Totaj i PDK-së dhe Artan Abrashi nga Vetëvendosje.

Marrëveshje deri tash janë zyrtarizuar në disa komuna më të vogla.

Më 19 tetor, Valon Prebreza i VV-së zyrtarizoi marrëveshjen me AAK-në në Fushë Kosovë. E, Besnik Osmani i LDK-së me Partinë Demokratike, Nismën dhe Partinë Liberale Egjiptiane.

Prebreza i VV-së në raundin e parë ka marrë 45.20 për qind të votave apo 9714 vota. Osmani i LDK-së i ka marrë gati dy mijë vota më pak apo 36.58 për qind. E partia e tretë, Partia Demokratike e Kosovës në garën për kryetar me Rrahim Tërnavën mori 3475 vota.

LDK-ja ka qenë partia që ka udhëhequr me Fushë-Kosovën që nga paslufta. Deri tash kryetar ka qenë Burim Berisha.

“Është arritur koalicioni i madh për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, që i thotë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit. Në këtë frymë bashkëpunimi, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës do të ecin bashkë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve për Fushë-Kosovën tonë”, ka shkruar kandidati i LDK-së, Besnik Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë bërë bashkë në Vushtrri për garën e balotazhit në këtë komunë, ku i pret kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi. Por ky koalicion i nënshkruar më 20 tetor është kundërshtuar nga LDK-ja në qendër, që edhe ka paralajmëruar masa kundër Xhafer Tahiri konform statutit, por pas përfundimit të rundit të dytë.

Sipas rezultateve të KQZ-së, në Vushtrri do të ketë balotazh mes Ferit Idrizit të PDK-së e Sylejman Mehollit të LVV-së.

LDK-ja në qendër e ka quajtur të pavlerë marrëveshjen dhe ka thënë se ajo është bërë në mënyrë individuale nga kandidati i tyre në Vushtrri.

Sociologu Fadil Maloku thekson se pavarësisht përpjekjeve të partive për të orientuar votën e qytetarëve, kjo edhe kriza e besimit qytetar mund të reflektohet edhe në balotazh.

“Kjo krizë besimi manifestohet sa herë që qytetari thirret të votojë…Kjo gjendje na tregon se ekziston një krizë evidente e kontratës sociale midis qytetarit dhe përfaqësuesit të tij politik. Një perceptim i tillë tregon se distanca midis qytetarisë dhe politikëbërësve është zgjeruar dukshëm – edhe për shkak se partitë politike kosovare janë burokratizuar dhe mbyllur në vetvete. Ato nuk pasqyrojnë më përbërjen reale sociale, por një përbërje mediokre, grupore, klanore e krahinore. Nga aspekti institucional, kjo krizë nënkupton se sistemi politik nuk po gjeneron dialog, por vetëm konflikt, kacafytje dhe refuzime të vazhdueshme midis subjekteve politike”, ka thënë Maloku.

Më 25 tetor, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve në 35 komuna, ndërkaq rezultatet ende nuk janë shpallur për Prishtinën, Junikun dhe Mamushën, pasi në këto komuna ka afat ligjor prej 48-orësh për parashtrimin e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Rundi i balotazhit do të zhvillohet më 9 nëntor në 18 komuna dhe tashmë KQZ-ja e ka certifikuar listën e votuesve.

Komunat ku do të ketë balotazh janë Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këtë rund zgjedhjesh do të shtypen 1.158.015 fletëvotime që i bie rreth 16 për qind më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.