Partia e rezolutave për shtetin e përvetësuar unitar !

Shkruan: Sefer TAHIRI

Bashkimi Demokratik për Integrim, pas fitores së zgjedhjeve lokale me vota për këshilltarë dhe humbjes së madhe me vota për kryetarët e komunave sikur u ndodh në udhëkryq politik, pas 22 viteve të qenit në pushtet, me përjashtim të 17 muajve në periudhën 2006-2008 kur me “trukun” e njohur “partneritet strategjik” në qeverisje u ngjit Partia Demokratike Shqiptare.

Të gjithë, jo vetëm integristët, pra anëtarët dhe simpatizuesit e BDI-së, por edhe mediat, ekspertët, pushteti, por edhe opinioni publik, dikush më tepër e dikush në mënyrë më jooptimiste prisnin se vallë cila do të jetë befasia e paralajmëruar e BDI-së për dalje nga gjendja në të cilën u gjet? Prisnin riformatim apo rishqyrtim ideologjik të partisë, e cila në vitin 2002 u formua si e majtë, por që rrugës e pa se në një shoqëri të ndërlikuar ndëretnike dhe ndërfetare vështirë mund të funksionojë me profilizim të qartë ideologjik majtist.

Ristrukturimi ndodhi në dimensionin e freskimit të organit drejtues dhe forumit kuvendor debatues të partisë, duke ua treguar derën e daljes “funksionarëve të përjetshëm”, që në 25 vitet e fundit janë rrotulluar në pozitat: deputet, ministër, drejtor, kryetar komune, ambasadorë e “aparatçikë” të ndryshëm sistemor. Ua hapi krahët disa figurave të reja, ndonëse në kryesinë e ngushtë nënkryetari u bë sekretar dhe sekretari nënkryetar! Kryetari mbeti kryetar!

Çfarë ndodhi në segmentin programor dhe ideor apo ideologjik? Cila ishte filozofia e re e ofruar politike?

Edhe pse parti e Marrëveshjes së Ohrit, pritej ofertë e re për modelin e organizimit të brendshëm të shtetit! BDI-ja propozoi përforcimin e shtetit unitar, si formulë për rrugëtimin e ardhshëm dhe organizimin e marrëdhënieve brenda Maqedonisë së Veriut, së cilës ia shtoi konsolidimin e barazisë funksionale. Një rezolutë tjetër ishte ajo e quajtur Marrëveshja kombëtare për përparim dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, që në fakt është manifest ndëretnik, por që BDI-ja e quan kombëtare, ndoshta si pararojë e pranimit diskursiv të identitetit të ri shtetëror maqedonas-verior, i barazvlerësuar me emërtimin kombëtar/nacional. Këto rezoluta sigurisht se do ta pësojnë fatin e tri rezolutave, të miratuara në korrik të vitit 2024, asaj për legjitimitet, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, së bashku me ndryshimet kushtetuese dhe Rezoluta mbi organizatën politike. Pakkush i mban mend këto rezoluta. Kanë shkuar në sirtarin e harresës.

Por ajo që mënyrë konstante nuk i shmanget vëmendjes është fakti që BDI-ja duke i qëndruar stoikisht Marrëveshjes së Ohrit, e arritur me luftë, me sakrifica të shumta të shqiptarëve, sidomos të atyre që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, assesi nuk arrin të dalë nga rubikoni i mosndryshimit të sistemit politik dhe juridik-kushtetues përkatësisht karakterit të shtetit.
Shteti unitar në literaturë përkufizohet si shtrirje e autoritetit të pushtetit apo qeverisjes qendrore në gjithë territorin e një shteti. Në praktikë ne shtetin unitar e kemi funksional, sepse nuk ka ndonjë cep që nuk kontrollohet nga shteti. Nuk ka territore të lira në vendin tonë!

Por, në diskursin publik dhe politik, unitarizmi apo “uniteti shtetëror” siç e quan BDI-ja interpretohet dhe trajtohet si mosndryshim kufijsh përkatësisht ruajtje e tërësisë apo integritetit territorial të vendit, që në vitin 2001 qëndronte si “Shpata e Damokleut” mbi Maqedoninë e Veriut. Atëbotë, Akademia e Shkencave dhe Arteve, e mbështetur edhe nga qarqe tjera intelektuale ekstreme, por edhe nga Kisha Ortodokse Maqedonase ofroi një dokument për ndarjen e Maqedonisë, me atë që Tetova, Gostivari, Dibra dhe një pjesë e Kërçovës do të ishin pjesë që do t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë. Projekt, që zoti Ahmeti e ka hedhur kategorikisht poshtë dhe ka bërë mirë, sepse ku ngelej Shkupi, Kumanova, Struga e shumë troje shqiptare. Do të mbetet në mbamendjen politike deklarata e famshme e liderit të ish-UÇK-së, më vonë BDI-së, Ali Ahmeti se “Atdheu im është Maqedonia”!

Fakti që Maqedonia e Veriut gjatë luftës nuk e ka ndryshuar karakterin e saj unitar, atëherë kur UÇK-ja mund të depërtonte në Shkup, qoftë nga Saraji ose Haraçina apo sidomos në negociatat për Marrëveshjen e Ohrit, flet se kjo ide, në fund të vitit 2025 bëhet për marketing të patargetuar politik-elektoral! Tu flasësh shqiptarëve për unitarizëm nuk prodhon efekt elektoral, tu flasësh maqedonasve për unitarizëm nuk çon peshë, shkakton përforcim të indiferencës ndaj projektimit shqiptar mbi shtetin, aq më shumë që një pjesë e madhe e tyre nuk besojnë në sinqeritetin e retorikës përbashkuese.

Maqedonia e Veriut natyrshëm është unitariste në kuptimin gjeografik dhe demografik, sepse rajonet në vend janë territore të përziera dhe jokompakte etnike, për dallim nga Zvicra me model kantonal, ose Belgjika dhe Bosnja e Hercegovina me model federativ.

Në realitetin diskursiv politik maqedonas dhe në sfondin e saj institucionalist, sintagma “shtet unitar” e protezhuar nga presidenti i parë i vendit, Kiro Gligorov dhe lideri socialdemokrat, Branko Cërvenkovski, perceptohet si shtet maqedonas në kuptimin etnik të fjalës. Që i bie përvetësim i shtetit: i institucioneve, i bartësve të funksioneve më të rëndësishme publike në institucione, por edhe i burimeve financiare dhe natyrore! Pushtetndarje në stilin e shatit që tërheq buxhetin vetëm kah vetja! Kjo do të thotë se me të, maqedonasit e përjetojnë shtetin siç përkufizohej në Preambullën e Kushtetutës së vitit 1991, në të cilën thuhej “Duke u nisur nga fakti historik se Maqedonia e Veriut është konstituuar si shtet kombëtar i popullit maqedonas”, e cila në fakt e mohonte Kushtetutën e vitit 1974, e cila theksonte se “Kombi maqedonas, së bashku me kombësitë në Maqedoni, në luftën e përbashkët nacional-çlirimtare së bashku me kombet dhe kombësitë tjera jugosllavë, e krijoi Republikën Socialiste të Maqedonisë, si shtet nacional i kombit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të”.

Pra, përdëftimi me çdo kusht para palës maqedonase dhe faktorit ndërkombëtar se shqiptarët nuk e cenojnë dhe nuk kanë ndërmend ta cenojnë shtetin unitar është krejtësisht i panevojshëm, ndonëse politikisht përkatësisht nga këndi integrist mund të jetë pragmatik. Shto këtu edhe faktin që shqiptarët që nga vitet 90-ta, në mënyrë serioze, nuk kanë pasur artikulim politik pa ekuivoke që është diskontinuitet apo joekuivalent me shtetndërtimin unitarist!

Në funksion të kësaj shtojmë një copëz të rëndësishme të historisë së re të Maqedonisë së Veriut! Shqiptarët, përmes Partisë së Prosperitetit Demokratik, në 11 dhe 12 janar të vitit 1992 organizuan Referendumin për autonomi politike-territoriale të shqiptarëve, simbolikisht e quajtur Ilirida. Por kjo ide që nënkupton vetëvendosje të brendshme as që kishte mbështetje programore nga dy partitë e atëhershme, Prosperiteti dhe Partia Demokratike Popullore. Pas këtij referendumi, i cili shkaktoi ndërhyrjen e forcave policore maqedonase në vendbanimet shqiptare për ndërprerjen e tij, u shpall Republika e Iliridës. Në Strugë më 6 prill të vitit 1992, para një turme prej 2500 vetëve, ish-lideri i PPD-së Nevzat Halili shpalli Iliridën. Më pas në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, te busti i Skënderbeut Ilirida u rishpall edhe në vitin 2014, për ironi të keqe me daulle dhe surle, të cilat si në dasmat e vaktit darraviteshin me para 1000 denarëshe! Tragji-komike sa ta lypësh!