Parlamentet studentore nga 3 universitetet shqiptare bashkohen për provimin e jurisprudencës

Nisma për realizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Qëllimi i këtij takimi ishte zyrtarizmin unifikimit, mobilizimi i studentëve për çështjen e provimit të jurisprudencës dhe diskutimi i çështjeve me interes për studentët dhe koordinimi i përbashkët”, deklaroi një nga nismëtarët, Mevlan Ademi.

Takimi u zhvillua sot në Universitetin e Tetovës, ku përveç Parlamentit studentor nga ky universitet, morën pjesë edhe Parlamentet Studentore nga Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza”.

“Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit studentor dhe përfaqësimit më të fuqishëm të interesave të studentëve shqiptarë në vend”, deklaroi Ademi, duke informuar se në takim morën pjesë kryetarët e tri parlamenteve studentore.

Ndryshe, studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut më 26 shkurt kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdon të insistojë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ministria e Drejtësisë edhe paraprakisht kishte deklaruar se nuk e ndryshon qëndrimin se provimi nuk mund të mbahet në shqip. Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Në ndërkohë Avokati i Popullit ka hapur lëndë për këtë rast, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve kreu inspektim të jashtëzakonshëm, ku pritet të dalin me gjetjet.

Ndërkohë, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.