Parku i Kumanovës me kushte minimale, komuna premton se shumë shpejt do ta shndërrojë në park modern

Ulëse dhe shporta të mbeturinave të dëmtuara, mungesë e tualeteve publike si dhe një kënd i vogël i lodrave i cili u ndërtua para disa viteve nga sponsor privat. Kjo është gjendja e parkut të qytetit të Kumanovës. Ndonëse është njëri ndër parqet më të mëdha në këtë komunë, qytetarët ankohen se është lënë pas dore. Ata për TV21 shprehen se ky park është ndër vendet më të mira për rekreacion, por kushtet minimale lënë shumë për të dëshiruar.

“Janë shume pak 3-4 luhatëse në të gjithë parkun i cili është shumë i madh dhe i mrekullueshëm. Shtigjet janë të rregulluara, mungojnë tualete, por tualete nuk ka në gjithë qytetin dhe ndoshta ndonjë barakë e vogël për të blerë. Ka shumë punë të vogla të cilat duken si të vogla, por në fakt janë të mëdha dhe janë të rëndësishme për qytetarët sepse kur dalin të shëtisin nuk ka ulëse, nuk ka çezme, nuk ka tualet dhe të ketë më shumë vende për të luajtur, por të theksoj se nuk është vetëm të ndërtohen por duhen edhe të ruhen”.

Qytetarët një pjesë të fajit ia lënë edhe personave të pandërgjegjshëm të cilët e dëmtojnë parkun.
Ndryshe, fëmijët të cilët janë vizitorët më të rregullt u shprehen se dëshira e tyre më e madhe është të kenë sa më shumë lodra dhe ambienti të jetë më i pastër sepse pjesën më të madhe të kohës ata kalojnë në këtë park.

“Ka nevojë më shumë për pastrim, për ndërtimin e lodrave se shumë pak ka, ndërtimin e një banje ose shitore që të vijmë më shumë”.

“Sa shpesh vjen tek parku ti? Përditë. A ke qejf me pas më shumë lojna? Pak më shumë lojna kam qejf me pas”.

Për TV21 nga komuna e Kumanovës theksuan se po planifikojnë që parkun e qytetit ta shndërrojnë në një park modern dhe urban smart (inteligjent) park me përmbajtje interesante për të gjithë brezat. Nga atje shtojnë se për realizimin e projektit janë siguruar mjete përmes Byrosë për zhvillim rajonal me implementim përmes Qendrës për zhvillim të rajonit verilindor në bashkëpunim me komunën e Kumanovës.
Nga komuna nuk japin afat konkret por thonë se procedura e zbatimit pritet të nis së shpejti./TV21