Paratë false të kapura në Rinas, Prokuroria kërkon verifikim nga Banka e Shqipërisë

Javën e kaluar, lastra me vlerë gati 1 milionë euro u sollën përmes Aeroportit “Nënë Terza” në Rinas nga një shtetas kamerunas, së bashku me 270 mijë euro false.

Por ndërsa në paraburgim përfunduan tre vetë mes tyre, dy shtetas të tjerë kamerunas dhe një zvicerian, autoritetet shqiptare po përpiqen të zbulojnë se cila është e fshehta e tentativës për të hedhur në tregun shqiptar një shumë kaq të madhe valute.

270 mijë euro të falsifikuara, mund të jenë produkt i këtyre lastrave që dy shtetas kamerunas dhe një zviceriane tentuan t’i kalojnë përmes Rinasit pak ditë më parë.

Por cilësia e lartë me shumë elementë sigurie të falsifikuara ka bërë prokurorët të dyshojnë se ky operacion mund të kishte qëllime të tjera.

Për këtë shkak, grupi i hetimit i lutet për ndihme Bankës së Shqipërisë duke i kërkuar që të identifikojë lastrat dhe nëse kanë apo jo elementë sigurie.

Kamerunasi udhëtoi nga Franca në Stamboll dhe më tej drejt Tiranës, ku një tjetër bashkëkombës i tij edhe ai i hetuar, rezervoi një hotel për katër netë qëndrimi. I dyshuari i parë dërgoi fotografinë sapo nisi udhëtimin me avionin.

Mbas zbulimit në kufirin shqiptar, bashkëpunëtorit kyç në aksionin kriminal Fonge që u zbulua nga rezervimi iu shkrua një mesazh në telefon nga aktorja e tretë. E identifikuar si Jenny Chollet, ajo e paralajmëroi “duhet te kesh frikë”.

Të dhënat paraprake që i referohen dëshmive dhe këqyrjes së aparatit konfirmojnë se e arrestuara me shtetësi zvicerane dhe me leje qëndrimi në Tiranë ndërmjetësoi me grupin për blerjen e një prone përgjatë autostradës Tiranë Durrës.

Por kjo është vetëm njëra nga pistat, deklarojnë pjesëtare të këtij hetimi për Top Channel, pasi në telefonat e të dyshuarve është gjetur fotografia e kartës së identitetit të një shtetasi.

Në dëshminë e tij, sqarohet jo vetëm se i njohur të huaj përmes zviceranes që frekuentonte lokalin e tij, por edhe se si 40-vjeçarja e njohu me një francez, të cilin dëshmitari thotë se çoi në kryeministri pasi kishte një projekt. Por ky investim nuk u finalizua, dëshmon shqiptari.