Kosovë-Shqipëri Parandalohet ngjarja e mundshme kriminale në Vlorë, të shtëna në ajër gjatë...

Parandalohet ngjarja e mundshme kriminale në Vlorë, të shtëna në ajër gjatë një konflikti – arrestohen dy të rinj

Është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë.

Kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, lidhur me një rast në Vlorë, gjersa Policia njofton se janë vënë në pranga dy të rinj, njëri prej të cilëve qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë një konflikti.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë dhe M. A., 25 vjeç, banues në Orikum”, thuhet në njoftim.

Policia tutje njofton se arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis dy shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

“Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë”, thuhet në njoftim

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.