Paramendoni vetëm një muaj pa pushtet këta çyrravecat që po ju kërcënojnë me largim nga puna

Artan Pasholli

Shqiptarë të nderuar. Po ju shkruaj me shumë emocione nga Gjermania, ku u detyrova të largohem nga halli, jo nga qejfi. Gjashtë vite pasi mbarova studimet, arrita të punësohem. Punova 4 vite e gjysmë në një sektor të Ministrisë së Transportit. Me gëzim besova që po fillon një kapitull i ri në jetën time, dhe se po hapen dyert për realizimin tim në profesionin për të cilin isha shkolluar. Mirëpo hasa në realitet ndryshe. Ishin vite të tmerrshme. Përplot presione, sa herë që afroheshin zgjedhjet. Sa vota do të sigurosh, sa njerëz do të sjellësh në tubim, sa vota mund t’i blesh në këtë fshat, sa vota në atë qytet…? Fjalën kryesore në Sektor e kishin dy analfabetë total, të afërt me “kryetarin e degës”. Nuk dinin as shkrim, as lexim, por ata vendosnin për fatin e çdo njërit prej nesh. Kush do të punësohet, kush do të përjashtohet, kush avancohet, kush do të degradohet, kush do të shpërblehet, kush do të dënohet. Ngacmonin vajzat e ndershme shqiptare që punonin aty, e ato të shkretat nuk kishin çka të bëjnë përveç se të ulin kokën, se përndryshe duhej ta lënë punën. E respektonin me përpikmëri urdhrin që e kishin prej partisë- me shqiptarët bëni çka të doni, kurse tjerët mos i prekni, se na del problem.
Mbanin veshje të shtrenjta, vetura të mira, tërë ditën mbanin në gojë një rrëmojsë, i kruanin dhëmbët. Zyrat ushtonin nga zgërdhirjet e tyre për “fora” banale dhe të kota. Mendonin se janë shumë të mençur. Vetë flisnin, vetë zgërdhiheshin. Mbanin në zyrë flamurin e partisë dhe fotografinë me kryetarin nga tubimi partiak. E unë paguaja kistet e kredisë që e mora, për t’i dhënë ryshfet 5.000 euro që të punësohem, se ndryshe nuk kishte shansa. E mbarova ndërkohë magjistraturën me shpresë se diçka do të përmirësohet. U bë edhe më keq. Çyrravecët-analfabetë kishin magjistruar para meje, bile e kishin regjistruar edhe doktoraturën.
Mua, si shumicën prej jush, prindërit nuk më kishin edukuar që të vjedh dhe të korruptohem. Më kishin edukuar që të mos vjedh, të mos korruptohem. Nuk më kishin mësuar të diplomoj e të magjistroj pa mësuar asnjë ditë, apo të blejë diplomën. Por ja që po përballesha me një realitet që s’e kisha paramenduar. Institucionet i kisha paramenduar si vend ku respektohen dija, e jo injoranca. Për fat të keq doli e kundërta.
Nuk kishte rrugëdalje, u detyrova të marr rrugën e kurbetit në vitin 2015. Diçka që kisha urryer më së shumti në të kaluarën, tani isha i detyruar ta bëj. Nuk durohej maltretimi. Nuk isha i vetëm. Edhe kolegë tjerë nga sektori ku punoja, por edhe nga sektorë tjerë në administratë u larguan sapo iu dha shansi. Djemtë dhe vajzat më të shkolluara që patëm, u larguan. Lan pas vete një vakum të madh, për të cilin askush nuk çan kokën. Edhe të tjerët që kanë mbetur, presin shansin të ikin nga presioni që kanë prej çyrravecëve dhe analfabetëve.
Pse po ju shkruaj tani? Sepse ëndërra ime për tu kthyer në vendlindje dhe për të dhënë kontributin si profesionit nuk është shuar. Shumë çekë, polakë, sllovakë të shkolluar kishin ardhur në Gjermani në fillim të viteve të 90-ta për të punuar punë fizike, por u kthyen pasi shtetet e tyre pastruan me krimin dhe korrupsionin. Te ne kjo punë zgjati pak më shumë, por nuk do të thotë se nuk mund të bëhet realitet. Endërra e atyre shqiptarëve që u larguan nga vendlindja mund të bëhet realitet shumë lehtë, vetëm nëse ua marrim legjitimitetin analfabetëve dhe strukturave të kriminalizuara e të korruptuara.
Ju lutem, paramendoni vetëm një muaj pa pushtet këta analfabetë që sot vendosin për fatin tuaj dhe tonin. Si gjynaha. Pa pushtet, pa dije, pa shkrim pa lexim. Paramendoni analfabetët e çyrravecët vetëm një muaj pa vetura zyrtare. Pa tendera, pa lidhje me inspektorët e policisë. Do të jenë hiça, shkuar hiçave. Nuk do të mund të ju kërcënohen me largim nga puna, nuk do të munden t’i ngacmojnë vajzat e ndershme. Do t’i largojmë nga institucionet këta analfabetë, për tua liruar vendin djemve dhe vajzave të shkolluara, të edukuara dhe të ndershme. Në ditën e zgjedhjeve ata janë zero, nëse ne bëhemi bashkë kundër tyre. Vetëm në këtë mënyrë krijohen kushte që rinia shqiptare të mos ikë në perëndim, por edhe ne që jemi larguar të kthehemi në vendlindje.