Ish kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Tatjana Dimitrovska, u ul në bankën e të akuzuarve. Prokuroria e ngarkon atë për dhënien e sekretit zyrtar për të pandehurin Nebojsha Stojanoviq në rastin Aditivët, por edhe se një revizor shtetëror në emër të saj ka kaluar testin, që ajo të merrte certifikatë sigurie. Sipas prokurorisë, analiza e telefonit të Dimitrovskës nuk ka përfunduar, por thonë se kjo hap mundësinë që ish-kryetarja e Antikorrpsionit më tej të akuzohet edhe për vepra të tjera penale.
“Analiza e telefonit është afër përfundimit. Duke vlerësuar se bëhet fjalë për rreth 250,000 regjistrime nga telefoni i kryetares, megjithatë, këtu dua t’ju informoj së bashku me kolegun tim, se gjatë analizimit të të dhënave nga telefoni, prokuroria ndërmerr veprime të tjera në përputhje me ligjin, siç janë marrja e të dhënave të nevojshme nga institucionet kompetente dhe dëgjimi i dëshmitarëve në lidhje me indikacione të caktuara që rrjedhin nga këto të dhëna”, tha Natasha Pop Trajkova, prokurore.
Mbrojtja pretendon se ka prova për të dëshmuar pafajësinë e Dimitrovskës.
“Unë pres aktvendim lirimi për Tatjana Dimitrovskën, kjo është gjithçka që mund të them në këtë moment, sepse ndërkohë paraqesim prova që hedhin poshtë plotësisht aktakuzën ndaj saj. Këto janë prova nga Komisioni Antikorrupsion, një raport i datës 30 korrik 2025, i cili konfirmon tezën e mbrojtjes se nuk është bërë zbulim i sekreteve zyrtare”, u shpreh Vladimir Tufegxhiq, Avokat i të pandehurës Tatjana Dimitrovska.
Dimitrovska akuzohet për veprën penale të zbulimit të sekretit zyrtar, përkatësisht se përmes mesazheve në Viber ajo i ka dhënë informacione Nebojsha Stojanoviqit, ish-drejtorit të TEC Negotinës. Përveç Dimitrovskës, sot në bankën e të akuzuarve u ul edhe Mile Stolevski, si dhe të pandehurit Borçe Najdov dhe Biljana Petrovska Manteva. Në rastin Aditivët, personat fizikë dhe juridikë akuzohen për dëm të shkaktuar prej mbi 6.5 milionë euro përmes blerjeve të dyshimta për TEC Negotinën dhe TEC Manastirin. / Alsat.mk