Paralajmërohet Serbia: Vuçiq mund ta bllokojë vetëm veten e tij, por aspak Kosovën

“Nuk kam nënshkruar për disa gjëra. Serbia është e njohur ligjërisht ndërkombëtarisht, Kosova nuk është për mua dhe nuk dua të bëj marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën. Edhe deklaratat e mia si president janë të detyrueshme për vendin, ndaj kujdesem me kujdes dhe disiplinë për atë që them”, kështu ka deklaruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Të shtunën në Ohër është mbajtur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku kanë marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, i cili zgjati plot 12 orë, Borrell njoftoi se është arritur një marrëveshje dhe se të dyja palët kanë pranuar aneksin e Marrëveshjes së Brukselit.

Po ndryshe deklaroi presidenti serb, i cili tha se nuk ka nënshkruar asgjë, është i kënaqur dhe se prioritet ka qenë formimi i Bashkimit të Komunave Serbe.

Analistët thonë se e pranoi, apo nuk e pranoi Vuçiqi, palët janë të kushtëzuara ta pranojnë, sepse në të kundërtën pasojnë sanksione. Sipas tyre, në Ohër është bërë goditja më e ashpër historike ndaj Kosovës- Dardane.

Burjani: Dy palët janë kushtëzuar se nëse nuk e zbatojnë pasojnë sanksione

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se marrëveshja në Ohër duhet të zbatohet, sepse nëse jo do të ketë sanksione.

Image

Blerim Burjani

Sipas tij, Vuçiqi mund ta bllokojë veten e tij, por jo Kosovën.

“E pranoi apo nuk e pranoi Vuçiq, kushtëzimi që pati, duhet të zbatohet marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, obligohet me përpikëri të zbatojë deri në fund, në të kundërtën nuk ka konferencë për donatorë, nuk ka integrim në BE, sepse kushtëzohet me kapitullin e 35-të të BE-së. Vuçiq mund ta bllokojë vetëm veten e tij, por aspak Kosovën. As palët nuk mund ta bllokojnë njëra- tjetrën, as ta kushtëzojnë, pa BE do të jetë monitorues dhe raportues a kryhen punët deri në fund, dy palët janë kushtëzuar se nëse nuk e zbatojnë pasojnë sanksione”, thekson Burjani.

Kelmendi: De-Fakto në Ohër u dha baza e shtetit për komunat me shumicë serbe

Kurse, analisti Muhamet Kelmendi, shprehet se me pajtueshmërinë e palëve, në takim u vendos për formimin e një mekanizmi juridik (Asociacion) për minoritetin serb në Kosovë.

Image

Muhamet Kelmendi

Sipas tij, me këtë krijohet një shkallë e re e pushtetit.

“Në Ohër u bë de fakto ndarja dhe copëtimi me Asociacionin e minoritetit serb të Republikës së Kosovës. Nga pajtueshmëria që u bë midis palëve në Ohër, nga krimineli serb, Vuçiq , kryeministri Kurti dhe vet z. Borrel, u vendos në takim që të formohet një mekanizëm juridik (Asociacion) për minoritetin serb në Kosovë. Ky organizim i pakicës serbe nëpër komunat me shumicë serbe, garanton juridikisht një vetëmenaxhim të minoritetit serb në Kosovë. Ky vetëmenaxhim është vetadministrim që juridikisht nënkupton një subjekt të ri juridiko- organizativ në Kosovë. Me këtë krijohet një shkallë e re e pushtetit”, deklaron Kelmendi.

Tutje, sipas tij, në Ohër u dha baza e shtetit për komunat me shumicë serbe.

“Natyrisht se me këtë se me këtë vet administrim arrihet tek të drejtat tjera politike, që njihen për kombet të ndara apo të pushtuara. Kjo shkallë e organizimit të minoritetit serb është bazë e një autonomie të gjerë vetadministruese. Këtë e theksoi krimineli i luftës Vuçiq. Subjekti që do të formohet dërgon tek subjektiviteti i organizimit me elemente të shtetit për minoritetin serb. Me subjektivitete të tilla rrjedh edhe e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje të subjektit të ri dhe bashkimit të këtij subjekti me një njësi tjetër shtetërore ose mbetet vetë njësi e pavarur. De-Fakto në Ohër u dha baza e shtetit për komunat me shumicë serbe. Mbetet vetëm organizimi dhe rregullimi juridik i këtij subjekti me ligj”, pohon Kelmendi.

Me takimin në Ohër, sipas Kelmendit, u dha goditja më e ashpër historike ndaj Kosovës- Dardane.

“A do të ketë ky organizim statut apo Kushtetutë? Statuti është bazë e administrative juridiko-politike dhe organizative. Është etapa e parë e shtetit. Pos tjerash shikohet te nxjerrja e kushtetutës që siguron vet administrim të gjerë. Duke përfshirë edhe të drejtën e shkëputjes deri te bashkimi me shtetin tjetër. Kjo e shkatërron Republikën dhe vetë hiearkinë e pushtetit në Kosovë. Me këtë u dha goditja më e ashpër historike ndaj Kosovës- Dardane. Po, kështu u la anash reciprociteti si parim i zgjidhjes së çështjeve ndër shtetërore. Në fakt, as që u fol për këtë dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Marrëveshja dhe plani ekzistues u pranuan pa kushte”, shton Kelmendi.

Ndryshe, të hënën gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Gabriel Escobar ka thënë të se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, u shpreh ai.