Paralajmërimi i rrezikshëm, kjo do t’i ndodhë Kosovës nëse formohet Asociacioni

Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është një nga temat më aktuale dhe të cilin e kërkojnë serbët, por që kryeministri Kurti nuk ka dashur as të flas për të në takimin e mbajtur në Bruksel së fundmi, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e ka kërkuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, i cili ka thënë se, “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe”.

Kurse, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë Asociacion njëetnik.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka deklaruar Kurti.

Mirëpo, për formimin e Asociacionit ka reaguar edhe profesori në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben Meir, i cili ka thënë se Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive është në dëm të Kosovës.

“Mendoj se Kurti ka plotësisht të drejtë. Nuk mund të kemi Asociacion të komunave me pushtet ekzekutiv, sepse një gjë e tillë do t’ia lejonte Serbisë të ketë fuqi ekzekutive mbi këto komuna. Kjo do të nënkuptonte dhënie të këtij territori Serbisë. Ne nuk duam të kemi ndryshime territoriale. Prandaj, në pikëpamjen time, Kurti duhet t’i rezistojë Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse i njëjti synon të fitojë fuqi ekzekutive, ku Serbia do ta mbikëqyrte atë lloj fuqie. Që do të nënkuptonte se ata do ta kontrollonin atë territor për qëllimet e veta. Por, çdo Asociacion normal mes dy vendeve, mund të sjell normalizim të marrëdhënieve mes dy palëve, edhe pa fuqinë ekzekutive që do t’i jepej Serbisë mbi këto komuna. Kjo është e mundshme. Nuk do të thotë se duhet të jetë e tëra ose asgjë, por mund të jetë një lloj marrëdhënie e tillë, e cila do të siguronte se Serbia nuk do të ketë fuqi ekzekutive në këto komuna”, ka deklaruar ai.

Kurse, analistët kanë vlerësuar se krijimi i Asociacionit rrezikon ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Krasniqi: Me krijimin e Asociacionit rrezikohet ekzistenca e Kosovës sepse brenda saj krijohet një Bosnje e dytë

Lidhur me këtë temë, njohësi i çështjeve politike Islam Krasniqi, për “Bota sot” ka thënë se ajo çfarë ka thotë profesori Alon Ben Meir është e vërtetë sepse me krijimin e Asociacionit, rrezikohet ekzistenca e Republikës së Kosovës sepse brenda saj krijohet një Bosnje e dytë.

Ai ka thënë se për këtë Kurti është në presion të madh nga SHBA-të dhe BE.

“Është e vërtet ajo për të cilën citon profesori i Universitetit të Nju Jorkut, Alon Ben Meir pasi që krijimi i Asociacionit rrezikon ekzistencën e Republikës së Kosovës sepse brenda saj po krijohet një Bosnje e dytë duke e bërë gjithëçka jo funksionale. Z. Kurti është parë një presioni të madh nga SHBA-të dhe BE-ja lidhur me Asociacion, e që krijimi i tij do ta fundos edhe karrierën politike të z.Kurti”, ka thënë analisti.

Më tej, Krasniqi ka deklaruar se për gjithë këtë fajin e ka politika e Kosovës, e cila na ka sjellë para aktit të kryer.

Sipas tij, Serbia në këmbim të Asociacionit, do të provojë formulën e shkëmbimit të territorit.

“Politika e mbrapsht e jona na ka sjellë para një akti të kryer, ku tani askujt nuk i interesojnë krimet dhe gjenocidi serb ndaj popullatës civile shqiptare, por duan t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, pavarësisht pasojat që ato mund t’i kenë. Tani po kuptohet ato marrëveshje që dikur janë nënshkruar duke e shndërruar luftën çlirimtare në konflikt të armatosur. Shteti serb në këmbim të Asociacionit do të provojë formulën e shkëmbimit të territorit, por kur ajo ra nga tryeza, ajo tani po kërkon Asociacioni e që të dyja janë shumë të rrezikshme për ne. Mediat tona duhet të përkrahin qeverinë aktuale lidhur më këto procese, duke bërë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare sepse edhe qeveria do të jetë më e fortë si në dialog ashtu edhe ndaj BE-së e jo të akuzojnë po na prish me SHBA-të, me BE-në, na ke gënjyer për dialog etj”, ka deklaruar Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi: Nëse formohet Asociacioni, e ardhmja e Kosovës do të mbetet ndarja e saj dhe zhbërja

Ndërsa, analisti politik Adem Bytyçi, ka thënë se ky Asociacion është negociuar nga qeveria Mustafa-Thaçi, andaj nuk duhet të jetë absolutisht me kompetenca ekzekutive.

“Para se gjithash, qeveria Mustafa-Thaçi, nuk ka qenë dashur fare të pranojnë të negociohej marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të pakicës serbe në Kosovë me palën serbe në Bruksel. Tani edhe pse është negociuar, ky Asociacion nuk duhet të jetë absolutisht me kompetenca ekzekutive, përndryshe Kosovës do t’i ndodhin të gjitha ato të cilat i ka pohuar profesori amerikan”, është shprehur ai.

Ai tregon se halli i Serbisë qëndron të formimi i Asociacionit sepse Serbia shpreson herët apo vonë që territorin e këtyre komunave t’ia bashkojë shtetit serb.

“Serbia nuk e ka hallin se serbët kanë pak të drejta në Kosovë, por Asociacionin e komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë shpreson herët a vonë që territorin e këtyre komunave t’ia bashkojë shtetit serb, ideja e ndarjes së Kosovës në baza etnike ka qenë një ide e vjetër etnike nacional-fashiste serbe, prandaj edhe disa herë Serbia historikisht është orvat ta ndryshojë strukturën demografike në Kosovë, në favor të popullsisë serbe, disa herë e ka kolonizuar Kosovën me serb e malazez, por nuk ka mund për t’ia arritur qëllimit”, ka thënë Bytyçi .

Sipas tij, e gjithë politika e Kosovës duhet të bëhet bashkë për të kundërshtuar një gjë të tillë sepse ndryshe nëse kjo realizohet atëherë Kosovës do t’i mbetet ndarja e saj dhe zhbërja e shtetit të Kosovës

“Jo vetëm Kurti, por Kurtit duhet t’i bashkëngjitet edhe opozita dhe i gjithë faktori politik në Kosovë që mos të pranojnë Asociacion serb me kompetenca ekzekutive në Kosovë, në të kundërtën, e ardhmja e Kosovës do të mbetet ndarja e saj dhe zhbërja e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar analisti Adem Bytyçi për “Bota sot”.