Paradoks në gjykatën e Shkupit, për dy orë, mjekët i japin të akuzuarit dy diagnoza të ndryshme (Video)

Një paradoks është shënuar sot në Gjykatën e Shkupit, ku ka vazhduar seanca kundër Fabio Idrizit dhe Arton Sadikut, të akuzuar për ushtrim të dhunës ndaj policisë në protestat e 26 shkurtit, shkruan gazeta Lajm. Meqë Fabio Idrizi është ndier keq, ai është kontrolluar nga mjeku i burgut të Shutkës, ku është në paraburgim. Mjeku në burg ka konstatuar temperaturë të lartë, vjellje, dhimbje stomaku dhe gërditje. Meqë nuk është ndier mirë as në gjykatë, ai është kontrolluar edhe nga mjeku i ndihmës së shpejtë, i cili ka konstatuar vetëm gërditje. Avokati Asmir Alispahiq, ka kërkuar që atij ti bëhet testi për Covid 19, por kjo kërkesë nuk është pranuar.

“Dy ditët e fundit, i pandehuri Fabio Idrizi është ankuar nga temperatura e lartë, ethet,  vjellja dhe gërditja. Kjo është konstatuar edhe nga mjeku i burgut, ku para se të vijë në mëngjes është evidentuar dhe zyrtarisht do të dorëzohet në gjykatë.

Sot me kërkesë të gjykatës u thirr edhe Ndihma e shpejtë, ku mjeku i Ndihmës së shpejtë konstatoi se i pandehuri ka simptome të gërditje, e jo edhe simptome tjera të konstatuara dy orë më herët.

Habit fakti se për çfarë shkaku dy mjekë japin mendime të ndryshme për një periudhë të shkurtë, por shpresoj se do të verifikohet se për çka, në të vërtetë bëhet fjalë. Aq më tepër kur e dimë se tani kemi pandemi nga Covid 19 dhe virusi është i paparashikueshëm. Madje kërkesa ime ishte që Fabio Idrizi të testohet, që të përjashtohet çdo dyshim se ndoshta mund të ketë simptoma të Covid 19, ose jo, me qëllim që të mos sillemi në situatë që pjesëmarrësit në seancë, ju si opinion, policët, prokurori, gjykatësit dhe gjithë që ishin në seancë, duhet të shkojmë në izolim. Mendoj se testi është dashur të bëhet edhe në burg”, deklaroi për gazetën Lajm avokati Alispahiq.

Sot është mbajtur seanca e parafundit, kurse varësisht prej gjendjes shëndetësore të Idrizit, nesër ose ditë tjetër do të mbahet seanca në të cilën do të thuhen fjalët përfundimtare nga ana e prokurorisë dhe mbrojtjes.  Në seancën e sotme dëshmoi organizatori i protestave, Blerim Ahmedi. Ai mohoi se ka parë në protestë të pandehurit Fabio Idrizi dhe Arton Sadiku. Pas kësaj dëshmie, duke shtuar edhe tri dëshmitë paraprake Alispahiq është i bindur se Idrizi dhe Sadiku duhet të lirohen.

“Jemi të bindur, pas gjitha dëshmive që ia ofruam gjykatës dhe pas dëshmitarëve që i dëgjuam, mund të them se dëshmitë tona në krahasim me dëshmitë e prokurorisë janë shumë më të besueshme. Mendoj se gjykata duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje dëshmive të mbrojtjes dhe t’i lirojë dy të akuzuarit nga akuza.

Do të ishte mësim edhe për të gjitha akuzat e ardhshme të këtij lloji, që prokuroria pak më tepër të punojë në identifikimin e të pandehurve, aq më tepër që në këtë rast nuk ekziston ekspertizë fotogrametrike të fytyrës së personave që shihen në incizim dhe të akuzuarve./Gazeta LAJM