Ekspertët e sigurisë në Kosovë e kanë konsideruar paradën ushtarake në Beograd, si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, derisa theksojnë se Serbia nuk i ka tani 20 mijë efektiva, tash 10 mijë me i bo për paradë është e pamundshme.
Më 20 shtator, në Beograd u mbajt një paradë ushtarake e ndjekur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë së cilës parakaluan mijëra trupa dhe u ekspozua armatimi më i avancuar i ushtrisë serbe, nga autoblindat deri te avionët luftarakë.
Parada u organizua nën moton “Forca e Unitetit”, në një kohë kur vendi po përballet me protesta të vazhdueshme antiqeveritare, të nxitura veçanërisht pas një aksidenti tragjik në Novi Sad nëntorin e kaluar, ku humbën jetën 16 persona.
Sipas ekspertit të sigurisë Nuredin Ibishi, parada ishte një demonstrim që e tejkalon kuadrin ushtarak dhe hyn në sferën politike e gjeostrategjike.
Ibishi për KosovaPress, ka thënë se Serbia është armatosur përtej marrëveshjes së Dejtonit.
“Është në një situatë të brishtë të sigurisë edhe rajonale por edhe globale, mendoj që kjo është kërcënim për sigurinë. Serbia është armatosur përtej marrëveshjes së Dejtonit. Nuk është e saktë që ka pasur 10 mijë ushtarë të armatosur, ngase 40 vite më herët kur ka qenë parada më e madhe në këtë pjesë të rajonit kanë qenë diku 6 mijë e 600 në ish-Federatën Jugosllave. Serbia nuk i ka tani 20 mijë efektiva, tash 10 mijë me i bo për paradë është e pamundshme. Është e paqëndrueshme, e pandershme që Franca ia huazoj për mbikalim rafalët, ngase ato nuk janë pajisje serbe, ajo kishte diku 2 mijë e 500 të armatosur, 70 fluturake të tipave të ndryshme”, ka thënë Ibishi.
Ai vuri në pah gjithashtu mospërputhjen mes asaj që u paraqit dhe realitetit të kapaciteteve ushtarake serbe.