Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka nisur procedurë kundër një shtetaseje 30-vjeçare të Republikës së Kroacisë, me qëndrim të përkohshëm në Kavadar, e cila dyshohet se ka kryer veprën penale ‘lëndim trupor’, nga neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Mëngjesin e 25 janarit, në gjendje të dehur, me 2,61 promil alkool në gjak, e dyshuara ka ushtruar dhunë në familje dhe e ka lënduar në trup bashkëshortin e saj.
“Pas një përleshjeje verbale, ajo ka marrë një thikë nga kuzhina dhe e ka goditur të dëmtuarin në shpatullën e majtë dhe të djathtë, ndërsa më pas e ka gërvishtur në qafë dhe trup”, informoi Prokuroria.
Prokurori publik, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, ka vlerësuar se janë plotësuar bazat ligjore dhe i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Kavadar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.





