Paraburgim për shkupjanin që rrahu partneren e tij

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një 46 vjeçari nga Shkupi, i cili dyshohet se e ka rrahur partneren e tij jashtëmartesore, gjegjësisht e ka goditur me shuplakë në fytyrë dhe kokë dhe me shqelma në zonën e gjymtyrëve, kofshëve dhe gjoksit, transmeton Portalb.mk.

Si pasojë e goditjeve, gruaja ka pësuar lëndime të rënda fizike, mavijosje, ndrydhje dhe një frakturë multifragmentare të kockave të hundës.

Shkupjani akuzohet për vepër penale – lëndim i rëndë trupor nga neni 131 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj një 34-vjeçari, i cili sipas provave ka ndihmuar të pandehurin e parë për të ushtruar dhunë familjare.

Ngjarja ka ndodhur më 29 maj të këtij viti dhe sipas prokurorisë, i akuzuari i dytë ka qenë i pranishëm në shtëpinë e banorit të Shkupit, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e viktimës, por përkundrazi, i ka dhënë këshilla dhe udhëzimet për mënyrën e kryerjes së veprës penale.

“Në shtëpi ka qenë e pranishme edhe nëna e të akuzuarit të parë, e cila ka tentuar ta mbrojë gruan nga sulmi fizik, por i akuzuari i dytë e ka ndaluar duke iu drejtuar me fjalët “qëndro larg, le ta zgjidhin vetë problemin, është i tyre persona”. Gjithashtu, në momentet e sulmit fizik, i pandehuri i dytë e ka inkurajuar autorin me fjalët ‘nëse duhet dënimin do ta durojmë bashkë me mua’”, njofton prokuroria.

Për shkupjanin që rrahu parteneren e tij, paraprakisht ishte caktuar masa e paraburgimit, ndërsa prokurori publik i propozoi Gjykatës Themelore Penale të Shkupit vazhdimin e masës së paraburgimit.

Propozim për caktimin e masës së paraburgimit është dorëzuar edhe për të pandehurin e dytë, por gjykata nuk e ka pranuar propozimin e prokurorit dhe nuk ka caktuar masë, kështu që pas pranimit të vendimit prokurori publik kompetent njofton se do të ushtrojë ankesë kundër këtij vendimi gjyqësor.