Paraburgim për shkupjanin, dyshohet për posedim të paligjshëm të armëve dhe dhunë ndaj bashkëshortes

Sektori për Punë të Brendshme Shkup ka paraqitur kallëzim penal në procedurë të shpejtë kundër A.R. (29) nga Shkupi, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese”, që dënohen sipas nenit 396 dhe “Lëndim trupor”, që dënohet sipas nenit 130 të Kodit Penal, përcjell TV21. Nga SPB-Shkup shtojnë se gjykatësi i procedurës paraprake i ka shqiptuar të dyshuarit A.R. masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Më 8 qershor 2025, rreth orës 20:30 në Shkup, zyrtarë policorë nga SPB Shkup e kanë privuar nga liria të dyshuarin A.R., pasi paraprakisht ishte paraqitur një denoncim se ai kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 33-vjeçare në shtëpinë e familjes në rajonin e Bit Pazarit, duke përdorur edhe një mjet të fortë. Pas kësaj, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe konfiskuar: 1.167 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një pushkë automatike kalibri 7.62×39 mm, një pistoletë “Zoraki” për selinsator dhe ndriçues, e modifikuar në armë zjarri kalibri 7.65 mm, një pistoletë gjysmë automatike “Ranger” kalibri 9 mm, një pistoletë ajrore, një granatë dore, karikatorë për armë automatike, mbajtëse për pistoleta, pjesë të armëve të zjarrit, thika dhe mjete të tjera të mprehta, si dhe sende të tjera për të cilat ekziston dyshimi se rrjedhin nga vepra penale.