Paraburgim për serbin i cili tentoi të transportojë 5 mijë kuti cigar

Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një shtetasi serb, i dyshuar për veprën penale – Shmangie e pagesës së akcizës, nga neni 279-b, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari, me qëllim që të shmangte plotësisht pagesën e akcizës në vlerë të konsiderueshme prej gati 5 milionë denarësh, të cilën ishte i detyruar ta paguante në bazë të Ligjit për Akcizat, ka tentuar të transportojë 5.000 steka cigare pa pulla akcize përmes pikës kufitare Bogorodicë.

“Me një kamion tërheqës me rimorkio, me targa serbe dhe në pronësi të një kompanie transporti nga Serbia, ai është paraqitur në hyrje të vendit dhe ka nisur procedurën tranzitore për transportin e mallrave, material izolues. Gjatë kontrollit, mbi mallin e deklaruar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 100 kuti kartoni, në të cilat ishin paketuar stekat e cigareve pa pulla akcize”, tha Prokuroria Publike.

Duke qenë se ekzistojnë rrethana që justifikojnë frikën se i dyshuari mund të arratiset, se mund të tentojë të fshehë ose asgjësojë gjurmët e veprës penale dhe se mund ta pengojë procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët ose bashkëpunëtorët në veprën penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Gjevgjeli propozim për caktimin e masës së paraburgimit.