Paraburgim për 59-vjeçarin nga Velesi, i dyshuar për përndjekje dhe dhunë ndaj ish-partneres

Prokuroria Themelore Publike në Veles ka nisur procedurë kundër një 59-vjeçari nga Velesi, i dyshuar për veprën penale Përndjekje sipas nenit 144-a paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe për veprën penale të vazhdueshme Dhunë sipas nenit 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Procedura e Prokurorisë erdhi pas një kallëzim penal të paraqitur nga MPB, transmeton Portalb.mk.

Siç thekson Prokuroria, i dyshuari, i cili ka qenë në një marrëdhënie intime me viktimën, e ka përndjekur atë gjatë muajve të fundit, duke ndërhyrë në jetën e saj personale, duke kontrolluar me kë komunikon dhe me kë shoqërohet, ku del, si dhe duke e ofenduar dhe shqetësuar psikologjikisht. Me këto veprime tek viktima ka shkaktuar ndjenja pasigurie, ankthi dhe frike.

“Më 18 shtator, në disa raste gjatë gjithë ditës, i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, duke i shkaktuar lëndime në trup. Fillimisht dhuna ka ndodhur në vendin e saj të punës, pas së cilës ai ka shkuar tre herë në banesën e saj, ku ka hyrë me forcë. Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, veçanërisht faktin që i dyshuari punon së bashku me viktimën, këmbënguljen e tij për ta sulmuar dhe maltretuar disa herë brenda një dite, si dhe faktin që më herët nuk i janë caktuar masa të përkohshme për mbrojtje nga dhuna në familje, prokurori publik ka vlerësuar se ekziston rreziku i përsëritjes së veprimeve të tij të dhunshme. Gjithashtu, për shkak të punës së tij dhe dokumentacionit të vlefshëm për kalimin e kufirit, ai ka mundësi të arratiset. Për këtë arsye, prokurori kompetent ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Velesit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gjykata e ka pranuar kërkesën dhe ka caktuar masën e paraburgimit.