Banorët e rrugës “Govedarski Pat” në Kumanovë ankohen për gjendjen e keqe të rrugës dhe punimet e lëna në gjysmë. Sipas tyre, punimet filluan para zgjedhjeve lokale, por janë ndërprerë, duke e lënë rrugën në gjendje edhe më të rëndë. Ndërkaq, Komuna e Kumanovës nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë problem, shkruan Portalb.mk.
Banorët e rrugës “Govedarski Pat” në Kumanovë ankohen se rruga është e dëmtuar dhe plot me gropa, duke theksuar se gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pasi punimet janë lënë në gjysmë.
Ata thonë se punimet e papërfunduara po e vështirësojnë qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve, duke shkaktuar shpesh edhe dëmtime të tyre.
Sipas banorëve, punimet kanë nisur para zgjedhjeve lokale, por më pas janë ndërprerë, ndërsa deri më tani rruga ka mbetur e papërfunduar plotësisht.
Një banor thotë se gjendja e rrugës “Govedarski Pat” është shumë e keqe dhe e vështirëson lëvizjen në përditshmëri.
“Ne, banorët e rrugës “Govedarski Pat” në Kumanovë, ju drejtohemi me këtë kërkesë për rregullimin urgjent të rrugës sonë, e cila aktualisht është e paasfaltuar dhe në gjendje shumë të keqe. Rruga jonë është e paasfaltuar dhe e mbushur me gropa. Sa herë ka reshje krijohet baltë e madhe dhe lëvizja bëhet pothuajse e pamundur, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Kërkojmë nga komuna që sa më shpejt të ndërmarrë masa për rregullimin e saj”, tha banori.

Një banor tjetër theksoi se premtimet për asfaltimin e rrugës ende nuk janë realizuar.
“Gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale, na është premtuar se rruga do të shtrohej fillimisht me tampon dhe më pas do të asfaltohej kur të përmirësohen kushtet atmosferike. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe ne vazhdojmë të përballemi me të njëjtin problem. Prandaj, kërkojmë nga Komuna që të ndërmarrë sa më shpejt rregullimin me tampon të rrugës, të planifikojë dhe realizojë asfaltimin e plotë të saj në afatin më të shkurtër”, tha ai.
Një banore tjetër theksoi se punimet në rrugë kanë mbetur në gjysmë dhe premtimet e dhëna nuk janë realizuar.
“Premtimet bëhen kur afrohen zgjedhjet, ndërsa punimet fillojnë dy ditë para tyre dhe më pas ndërpriten për muaj të tërë. Siç po e shihni punimet e rrugës janë lënë në gjysmë dhe gjendja është përkeqësuar edhe më shumë. Nuk mund të lëvizim as në këmbë e as me veturë, ndërsa shpesh dëmtohen edhe automjetet tona, dhe për këtë pa askush nuk merr përgjegjësi. Kërkojmë nga komuna që të përfundojnë punimet dhe të realizojnë premtimet e dhëna”, tha banorja.

Pyetëm Komunën e Kumanovës pse janë pezulluar punimet e asfaltimit në rrugën “Govedarski Pat” dhe kur pritet të vazhdojnë ato, si dhe nëse ekziston një plan dhe afat konkret për përfundimin e tyre. Edhe pse për Portalb.mk konfirmuan se do t’i shqyrtojnë pyetjet gazetareske, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje.
Ndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi ka raportuar për rrugët e dëmtuara në Kumanovë si ‘Kiro Fetak’, ‘Done Bozhinov’,‘Veselin Vujovski’, ‘Zona Industriale’, ‘Karl Marks‘ etj.





