Papa Françesku: Të mos ankohemi dhe të përmbahemi nga lakmia që na lë gjithmonë të pakënaqur

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, lartësoi virtytet e përulësisë gjatë një predikimi që mbajti në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë në natën e Krishtlindjes.

“Të mos qajmë për madhështinë që nuk kemi. Të mos ankohemi… dhe të përmbahemi nga lakmia që na lë gjithmonë të pakënaqur”, ka nxitur kreu i Kishës Katolike.

Në fjalën e tij, Papa theksoi veçanërisht se Kisha duhet të dalë për të takuar të varfrit.

“Misioni përfshin gjithmonë një pasion për të varfrit, për ata që janë ‘në nevojë’, jo vetëm për gjërat materiale, por edhe për gjërat shpirtërore, emocionale dhe morale”.

“Kisha është thirrur për të arritur çdo formë varfërie. Kisha është thirrur t’ua predikojë Ungjillin të gjithëve, pasi të gjithë jemi të varfër, të gjithë jemi, në një mënyrë apo në një tjetër, nevojtarë. Por Kisha u shtrin dorën edhe të varfërve sepse ne kemi nevojë për ta: kemi nevojë për zërin e tyre, praninë e tyre, pyetjet dhe kritikat e tyre”, shtoi Papa.

Ndryshe, 85-vjeçari festoi natën e Krishtlindjeve në përputhje me kufizimet pandemike për të dytin vit radhazi, diçka me të cilën ekspertët e Vatikanit spekulojnë se ai nuk do të ishte i kënaqur.

Rreth 1.500 adhurues morën pjesë në meshë, të veshur me maska, ndërsa ishin ulur rreth altarit qendror papal.

Me kufizime të rrepta në numrin e të pranishmëve, mesha e mbrëmjes së të premtes ishte shumë larg festimeve të zakonshme të Krishtlindjeve të Vatikanit.