Paniku nga koronavirusi, artistët shqiptarë japin mesazhet e tyre dhe flasin për anulimin e koncerteve

Virusi COVID 19 është përhapur në shumë vende të botës, andaj ka shkaktuar panik tek qytetarët.

Duke pasur parasysh se në disa vende është marrë vendim të mos ketë aktivitete në hapësira publike, edhe disa prej emrave të njohur të estradës shqiptare u janë anuluar koncertet, mirëpo disa prej tyre e kanë pasur fatin ti përfundojnë datat e aranzhuara para panikut.

Lajmi.net ka kontaktuar me disa prej këngëtarëve të cilët kanë treguar për datat e aranzhuarara, të përfunduarat e edhe ato që u janë anuluar.

Labinot Tahiri, Mihrije Braha, Albatrit Muqiqi, Blero, e Lori, ishin disa prej këngëtarëve të cilët kanë dhënë prononcimet e tyre për lajmi.net së bashku me mesazhet drejtuar qytetarëve.

Duhet përmendur se këngëtari shqiptar, Labinot Tahiri ka siguruar 5000 maska për të ju ndihmuar qytetarëve dhe nuk e ka ndërmend të ndalet.

Labinot Tahiri 

“Ka gjasa të më anulohen mbrëmjet në Usa( NY) për shkak se Bashkia e Ny vendos që mos të ketë tubime nëpër sallat si zakonisht qe i kemi. Shteti dhe Ministria janë vonuar për furnizimin me maska për qytetarët sepse siç e lexova një maskë 8.50 është e shtrejtë për buxhetin e shtetit. Unë kam blerë qe dy javë 5000 copa nga 67 cent, por tani asi maska nuk ka me çmim 67 cent.Unë do ti dorzoj në shkolla dhe shumë shpejtë do ti marrë edhe 15.000 të tilla për mbrojtje të qytetarëve. Po ashtu ka reparte në spitalet tona që më kanë kërkuar maska për mbrojtjen e tyre, do te ua dhuroj disave”, tha Labinot Tahiri.

Mihrije Braha

“Nuk kam anulu asgjë përveç disa intervista dhe shkuarjes në Shqipëri. Koncertet i kam përfundu fatmirësisht, tash meqenëse është gjendje alarmante nuk kemi aranzhu ndonjë datë. Edhe ne si të gjithë të tjerët po mundohemi me pas kujdes. Mesazhi im pë qytetarët është se atë që e keni në dorë ta menaxhoni vetë, pastroni duart, mos komunikoni shumë me njerëz, mos u perqafoni, jemi mësu me ia dhanë dorën çdokujt dhe tash e kemi pak problem me e largu atë shprehi po ta bejme gradualisht. Le ti mbajmë dezinfektueset në xhepa e qanta”, u shpreh Mihrije Braha.

Albatrit Muqiqi

“Mu kanë anulu tri koncerte. Kom pas me performu brenda këtij muaji edhe muajit prill dhe nuk kanë dhanë ndonjë datë të caktuar qe kur mundet me u liru ose muj me shku me performu prap. Nuk kanë lanë me u tubu ma shumë se 600 ose 700 njerëz shkaku i kësaj. Do të thoë për shkak të ketij numri që ngrumbullohet aty edhe ma shumë në klub ose kudo qoftë nuk e lejon vetë shteti, Gjermania edhe Zvicra me u grumbullu ma shumë se aq persona shkak i koronavirusit”, tregoi Albatrit Muqiqi.

Blero

“Jo deri tash jo po realisht sonte e kam pas koncertin e fundit masanej mas sonte nuk ka më mundësi edhe nja 1 muaj. Të gjitha koncertet që i kam pas janë mbajt edhe sonte mbahet dhe masandej është anulim. Mesazhi im për të gjithë është të mos bëjnë shumë panik se është keq, nuk ka vend për panik. Kujdes po por jo panik”, përfundoi Blero.

Lori

“Jo akoma jo nuk kam ndonji anulim deri tani, do të thotë nuk na kanë thënë gjë, unë jam këtë vikend në Zvicër dhe në Gjermani por deri tani nuk është anulu ndonjë koncert. Kam pas, gjith muajin kam qenë gjith muajin edhe jasht edhe ktu për festën e 8 Marsit. Kemi data të aranzhuara dhe nuk kemi pasur akoma ndonjë thirje për anulim, reklamat po vazhdojnë. Ma mer mendja që do të mbahen, ndoshta aty ku jemi ne nuk ka problem, nuk e di. Të gjithë jemi me panik. Mesazhi im për qytetarët është të kenë kujdes me higjienën, ta ruajnë veten dhe të tjerët normal. Këtu në Kosovë nuk ka asnjë rast ishalla nuk do ketë. Në Tiranë i kam prindërit po bëhem merak për ta se janë të vjetër edhe janë me probleme po shpreson se nuk do të kenë asnjë gjë por po mundohen të ruhen nuk po dalin”, tha Lori.

Deri më tani në Shqipëri janë 12 të prekur dhe një grua rreth të 70-tave ka ndërruar jetë.

“Pacientja 73-vjeçare e konfirmuar me COVID-19, ka ndërruar jetë pak minuta më parë nga komplikacionet e rënda, si pasojë e disa sëmundjeve bashkëshoqëruese kardiake dhe pulmonare. 73-vjecarja vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese: Insuficience kardiake kronike, SPOK, Nyha III, Fibrilation atrial, hypertyreisis, tatus post by pass”, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë atje.