Zëvendësambasadori i Bashkimit Evropian, Ben Nupnau, në ambientet e “Europe House” në Shkup shënoi fillimin e një serie panel-diskutimesh kushtuar të drejtave të grave, të cilat do të zhvillohen gjatë gjithë vitit.
Kjo nismë nis me Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe do të përmbyllet me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Panel-diskutimi i parë u zhvillua me temën “Kush e paguan faturën? Çmimi i pabarazisë”, duke u fokusuar në sfidat ekonomike dhe sociale me të cilat përballen gratë sot, veçanërisht në tregun e punës dhe në qasjen ndaj burimeve ekonomike.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës “Konekt”, Nikica Kusinikova, theksoi se pabarazitë ekonomike mes grave dhe burrave vazhdojnë të jenë të theksuara.
“Nëse për 10 vite me radhë jemi më pak të kyçur në tregun e punës, përfitojmë 10% më pak se burrat për punë të ngjashme. Në një periudhë prej 20 vitesh ato janë nga një rrogë diku 1.000 euro, 25 mijë gruaja do të përfitojë më pak se një burrë, por kjo është pa e llogaritur pensionin që do ta marrë më pak gruaja, d.m.th. të ardhura më të pakta do të ketë një grua krahasuar me një burrë.”, – deklaroi drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Konekt”, Nikica Kusinikova.
Ndërkohë, Kristina Haxhivasileva, konsulente për zhvillim strategjik, u ndal te çështja e pronësisë së grave. Ajo theksoi se vetëm rreth 27 për qind e grave janë pronare të pronave të tyre, përqindje që në zonat rurale është edhe më e ulët. Sipas saj, kjo situatë nuk dëmton vetëm gratë, por edhe burrat dhe familjen në përgjithësi.
“Nëse një nënë nuk e ka marrë trashëgiminë që i takon, ajo nuk ka çfarë t’ia kalojë më tej djalit të saj. Prandaj, kjo është një temë që duhet diskutuar edhe për gjeneratat e ardhshme.”, – theksoi konsulentja për zhvillim strategjik, Kristina Haxhivasileva.
Organizatorët theksuan se qëllimi i kësaj serie panel-diskutimesh është i dyfishtë: të shënohen dhe të promovohen arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë, si dhe të hapet një debat i gjerë me perspektiva të ndryshme nga shoqëria civile, akademia, sipërmarrja dhe institucionet qeveritare.



