Pandemia nxjerr të papunë mbi 12 mijë të rinj në Shqipëri

Pandemia Covid -19 ka krijuar vështirësi në tregun e punës në Shqipëri duke cenuar kryesisht grupet më të prekshme, gratë dhe të rinjtë.

Të dhënat e INSTAT në Shqipëri tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2020 humbën punën mbi 12 mijë e 600 persona në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në fund të vitit 2020 INSTAT raportoi se ishin të punësuar 264 mijë e 300 të rinj, ndërsa në fund të vitit 2019 ishin të punësuar 276 mijë e 984 persona.

Shumë të rinj që kanë humbur punën në Shqipëri janë drejtuar për ndihmë në zyrat e punës. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tre mujorin e katërt të vitit 2020 ishin të regjistruar të papunë rishtas në zyrat shtetërore të punës rreth 5000 të rinj të moshës 15-29 vjeç.

Të dhëna të tjera sektoriale sugjerojnë se të rinjtë që kanë humbur punën ishin të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe bizneseve të lidhura me turizmin, si hotelet, baret dhe restorantet. indeksi i punësimit në këto aktivitete shënoi rënie nga 35-50 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2020.

Të dhënat nga Anketa e Forcës së Punës treguan se gjatë tremujorit të fundit të vitit humbën punën mbi 37 mijë persona, prej të cilëve 33 % ishin të rinj.