Pandemia në SHBA, shkollat përgatiten për mësim në ambiente të hapura

Shumë shkolla amerikane janë të ajrosura dobët, gjë që e rrit rrezikun nga koronavirusi, ndërsa viti shkollor në disa vende fillon që këtë muaj, shkruajnë mediat amerikane.

Pas shtatë viteve që është prishur ventilimi qendror në një shkollë të mesme në Nju-Jork, ku jep mësim Liza Ficgjerald Okonor, ndërsa viti i ri shkollor po afrohet, ajo dhe kolegët e saj po kërcënojnë se nuk do të vijnë në punë përveç nëse rregullohet ventilimi.

Shkollat ​​në tërë SHBA-në kanë probleme të ngjashme – kondicioner dhe nxehja qendrore e vjetërsuar, ventilim që nuk funksionon mirë ose nuk funksionon fare sepse mirëmbajtja dhe zëvendësimi janë vonuar për shkak të buxheteve të vogla të shkollës. Kjo është arsyeja pse në disa qarqe, madje edhe në pjesët më të ftohta të SHBA-së, ata planifikojnë të japin mësime jashtë institucioneve arsimore për shëndetin e studentëve dhe mësuesve.

Vlerësohet se 41 për qind të hapësirave të shkollave në SHBA, duhet të modernizojnë ose zëvendësojnë sistemet e nxehjes, ventilimit dhe ftohjes në të paktën gjysmën e shkollave të tyre, sipas raportit federal të publikuar në muajin qershor.

“Nuk ka asnjë provë që sëmundja Kovid-19 mund të transmetohet përmes sistemeve të ventilimit nga një klasë në tjetrën”, deklaroi dr. Eduard Nardel, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard, i cili është i specializuar për transmetimin e sëmundjes nëpërmjet ajrit.

Rreziku, sipas tij, është sistemi joefikas i ventilimit që nuk heq viruset lundruese, por ato mbeten në klasë nëse hidhen nga një person i infektuar duke marrë frymë, teshtitje ose kollitje.

“Shumica e ndërtesave shkollore janë të disejnuara për akomodim, jo për të luftuar infeksionin. Pra, nëse vendosni 20 fëmijë në të njëjtën hapësirë, ndërsa njëri prej tyre ka Kovid-19 asimptomatik dhe është ngjitës, ekziston rreziku që 19-të fëmijët e tjerë të infektohen”, tha Nardel.

Megjithëse fëmijët e shëndoshë pothuajse gjithmonë shërohen lehtësisht nga Kovid-19, nëse sëmuren fare, ata mund ta transmetojnë sëmundjen te mësuesit, prindërit dhe njerëzit e tjerë.

Nardel beson se shkollat ​​duhet të konsiderojnë vendosjen e dritës ultravjollcë në tavanet e klasave, të cilat u përdorën në vitet ’50 dhe më herët për të luftuar fruthin, tuberkulozin dhe sëmundjet e tjera ajrore, ndërsa akoma përdoret në spitale dhe strehimore për të pastrehët.

Viruset dhe bakteriet vriten me ndihmën e spektrit të dritës UV që është e sigurt për njerëzit. Prodhuesit thonë se këto pajisje do të kushtonin 3.000 dollarë (2.500 euro) për çdo klasë.

Disa, duke përfshirë sekretarin e Arsimit, Betsi Devos, thonë se zgjidhja mund të jetë mësimi jashtë, i cili u bë gjatë tuberkulozit dhe epidemive të gripit në fillim të viteve 1900-të, madje edhe në mot të ftohtë.

Koronavirusi përhapet më pak jashtë dhe do të jetë më lehtë të organizohet që nxënësit të ulen në dy metra distancë.

Disa shkolla në pjesën verilindore të SHBA-së kanë blerë tenda të mëdha për dasma dhe planifikojnë t’i përdorin për mbajtjen e orëve në ambient të hapur deri nëntor. Një shkollë e mesme në Betel, Vermont, ka harxhuar 50.000 dollarë (42.000 euro) në stenda dhe edhe 20.000 dollarë (17.000 euro) në toalete mobile, në mënyrë shtesë të pajisura për larjen e duarve.

Derisa disa shkolla i kanë pajisur tendat me trupa ngrohës me propan, drejtori i asaj shkolle, Ouen Bredli tha se nxënësit e tij mund t’i durojnë temperaturat ditore në nëntor prej rreth 0 gradë Celsius në stenda pa ngrohje. Bredli tha se përfitimi nga kjo do të jetë se nxënësit do ta kuptojnë dhe më shumë do ta çmojnë natyrën.

Në shkollat, të cilat këtë vjeshtë megjithatë do të punojnë në klasa, nga nxënësit do të kërkohet ose “madje fuqishëm do të propozohet” të mbajnë maska, por organet kompetente thonë se nevjotet edhe ajrosje.

Brajan Toto, shef i rajonit shkollor Sent Moris në Pensilvaninë veriore, tha se në pesë shkolla, zëvendësimi i sistemit për ventilim do të kushtonte të paktën 600.000 dollarë (500.000 euro) për një shkollë.

Për këtë shkak, kur do të fillojë viti shkollor më 31 gusht, nga nxënësit në ato shkoklla do të kërkohet që çdoherë të mbajnë maska, por ligji për Pensilvaninë i liron fëmijët nga obligimet e tilla nëse prindërit nuk dëshirojnë.

“Kur janë ndërtuar shkollat, askush nuk ka pritur se duhet të ketë të paktën dy metra hapsirë të zbrazët rreth çdo nxënësi në klasë. Përkundrazi, nxënëlsit në klasa janë ngushtuar si sardenjë dhe tani kemi pasoja”, tha Tot.