Pandemia infekton shëndetin mendor

Pandemia e COVID-19 ka qenë dhe mbetet një faktor stresues që ka shkaktuar traumatizimin e popullatës dhe ka dëmtuar shëndetin e saj mendor në Kosovë, thotë neuropsikiatri Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë.

Personat që kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mjaft raste kanë mbetur me pasoja që manifestohen me frikë dhe drojë, thekson Fahri Drevinja, neuropsikiatër i pensionuar, por që vazhdon punën në një klinikë private në Prishtinë.

Psikologu Fitim Uka vlerëson se situata që ka krijuar pandemia, ka shënuar rritjen e nevojës për shërbime psikologjike. Sipas tij, bazuar në hulumtimet ndërkombëtare, prevalenca e ankthit dhe e depresionit ka prekur rreth 5 për qind të popullatës në mbarë globin, ndërkaq që çdo i treti person në botë ka treguar shenja të stresit akut, ankthit dhe depresionit. Në këtë pikë, sipas tij, përjashtim nuk bën as Kosova.

Sociologu Shemsi Krasniqi, thotë se që nga fillimi i pandemisë COVID-19, shumëçka ka ndryshuar në sjelljet e përditshme të njerëzve.

Traumat nga pandemia

Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për shëndetin mendor në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës kur autoritetet shëndetësore dhe ato qeveritare kishin vendosur masat, siç i quan ai, të mbyllljes së plotë, që kishin nisur në marsin e vitit të kaluar e deri në fund të pranverës së atij viti, në qendrën që ai drejton ishin vënë në dispozicion tre telefona pa pagesë ku qytetarët mund të drejtoheshin për këshilla.

Por, siç thotë, personave të prekur në aspektin e shëndetit mendor, është vështirë t’iu ndihmohet me këshilla përmes telefonit, sidomos atyre që kanë përjetuar traumë.

“Traumatizimi po manifestohet me çrregullime të theksuar të ankthit, me çrregullim të gjumit dhe normalisht, ata kanë nxjerrë edhe problemet e veta në aspektin e neurologjisë. Sa i përket shëndetit mendor, stresi është faktori kryesor”, theksoi Rexhepi.

Neuropsikiatri Fahri Drevinja, i cili pas pensionimit nga reparti i psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka vazhduar punën në një klinikë private, thotë se pandemia COVID-19 ka ndikuar te shumca e njerëzve, duke e destabilizuar gjendjen shpirtërore, por edhe shëndetin mendor.

Por, bazuar në përvojat tij të punës gjatë pandemisë, ai thekson që ndër personat më të goditur kanë qenë ata që kanë pasur, siç e quan ai, të fshehur ndonjë problem që godet shëndetin mendor.

“Njerëzit që ne i quajmë ‘potencialë’, që kanë pasur gjendje relativisht pa probleme, që e kanë disi atë sëmundjen e brendshme dhe ende të pashfaqur, tek ata ka ndikuar që ato sëmundje të keqësohet. Ato janë raste latente, raste joklinike, ku ende nuk është dukur sëmundja. Në këto rrethana të vështira, ato sëmundje janë aktualizuar”, tha Drevinja./REL