Pamjet shfaqin rusët duke bastisur një jetimore për të rrëmbyer fëmijët ukrainas

Një video rrëqethëse e vëzhgimit është shfaqur gjersa ushtarët e forcave ruse bastisin një jetimore ukrainase në kërkim të fëmijëve për t’i rrëmbyer.

Pamjet u morën si pjesë e një hetimi mbi pretendimet se ushtarët rusë dhe anëtarët e Forcave Federale të Sigurisë (FSB) – pasardhësi i KGB-së – morën fëmijët nga dy jetimore jashtë qytetit të Khersonit, pavarësisht përpjekjeve të banorëve vendas për të mbrojtur jetimët.

Volodymyr Sahaidak, drejtor i një jetimoreje në fshatin Stepanivka jashtë Khersonit, tha për skynews se kur forcat ruse pushtuan rajonin, ai dhe stafi i tij vazhduan të fshehin fëmijët, në mënyrë që ata të mos rrëmbehen.

“Ne pamë propagandistët rusë duke thënë se duhet t’i marrin jetimët dhe t’i dërgojmë në shkolla ushtarake, t’i indoktrinojnë dhe t’i lënë të luftojnë për Rusinë”, tha ai dhe shtoi, “Ishte gjëja më e frikshme, kështu që filluam t’i fshehim fëmijët sepse e kuptuam që ata do t’i merrnin”.

Në kohën kur trupat ruse dhe agjentët e FSB-së arritën në objekt, siç tregohet në pamjet e publikuara nga kamerat e sigurisë, 52 jetimët ishin dërguar fshehurazi te disa familje, të cilat i morën tre deri në katër fëmijë, pavarësisht rrezikut për t’u arrestuar ose vrarë, raporton nypost.

Video nga jetimorja tregon burra të armatosur të lodhur duke ecur nëpër ndërtesë. Sahaidka tha se ushtria sekuestroi të gjitha dosjet e fëmijëve dhe morën kompjuterët për të mësuar se ku kishin shkuar.

Edhe pse rusët nuk i gjetën kurrë fëmijët, ata sollën në jetimore 15 fëmijë të tjerë të marrë nga vende të tjera të Ukrainës.

Sahaidak tha se kur forcat e Moskës u tërhoqën nga Kherson, ata morën me vete fëmijët nga jetimorja.

Një skenë e ngjashme u zhvillua në një jetimore tjetër në Kherson, ku fqinjja Natalya Kadyrova përshkroi momentin kur ushtarët rusë arritën për të larguar një grup fëmijësh nga mosha tre deri në pesë. “Kur nxirreshin fëmijët jashtë, automjetet të blinduara dhe forcat ruse po kujdeseshin që askush të mos filmonte”, tha ajo.

Prokurorët ukrainas thanë se forcat armike rrëmbyen 48 jetimë gjersa rastet aktualisht janë duke u hetuar.

Sipas zyrtarëve ukrainas, ushtarët rusë kanë rrëmbyer të paktën 13 mijë fëmijë ukrainas që nga fillimi i luftës në muajin shkurt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për deportimin e rreth 1.6 milion njerëzve.