Pallçishta pa ujë të pijshëm, kreu i Komunës: Punimet nisin në pranverë

Për vite të tëra banorët e fshatit Pallçishtë të komunës së Bogovinës, po përballen me mungesën e ujit për pije. Edhe atë pak ujë që e kanë në çezmat e tyre, rezulton me shumë baktere dhe i pa përdorshëm.

Deri ditën e sodit, nuk kemi pas ndonjë mundësi që ta gjejmë një zgjidhje siç na konvenon neve si popullatë. Këta qytetarë kontribuojnë për këtë shtet, por nuk e marrin dot atë që iu takon. Ujin e marrim në vendbanimin Jellovjan, por uji është i ndotur nuk e përdorim fare për pije sepse rrjeti që ku hyn uji e deri ku del është i dëmtuar tej mase dhe deri sot nuk është vu dorë që të bëhet sanimi i rrjetit të ujit – u shpreh Shaban Sulimani, kryetar i BL Pallçisht.

Banorët thonë se, ujin për pije e blejnë, ose mbushin në fshatrat fqinje.

“Blejmë në dyqan, nuk na bën uji neve. Mbushin ndonjëherë në Novakë por më tepër blejmë”.

“ S`di çka t`iu them, mbushim nëpër malësi. Këtu Pallçishti ujë të mirë nuk ka”.

Kreu i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili thotë se punimet për ujësjellësin do fillojnë në shkurt ose mars.

Në pranverë do fillojnë punimet edhe në Pallçishtë meqë projekti është dorëzuar dhe është në fazë të evaluimit në Ministri të Transportit dhe besoj që muajin e dytë apo të tretë do kalojë edhe kjo fazë do bëhet tenderimi dhe menjëherë fillojmë punimet në terren -deklaroi Albon Xhemaili, Kryetar i komunës së Bogovinës.

Fshati Pallçisht ka rreth 5500 banorë dhe 1100 shtëpi, të cilët që prej rreth një dekade përballen me problemin e mungesës së ujit të pijshëm./Alsat