Shkruan: Sefer TAHIRI
Titulli i kësaj analize javore në Lajm do të ishte edhe “Politika shqiptare ra nga provimi!”! E di se ndaj tij, disa justifikues kujdestarë do t’i përgjigjen me kundërargumentin: po profesorët universitarë, fakultetet e shumta juridike, që funksionojnë në çdo universitet në gjuhën shqipe, po mediat, po gjykatësit, prokurorët, avokatët, juristët e ndryshëm a nuk ranë nga provimi kur është në pyetje testimi i dijeve nga jurisprudenca! Duhet kuptuar qartë se politika ka privilegje, të mëdha për një vend të vogël siç është ky i yni, por ka edhe përgjegjësi!
E vërteta është që mediat, që para pesë muajve e së fundmi para dy javëve e aktualizuan moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ishte studenti Mevlan Ademi, i cili me dije, pjekuri dhe maturi e adresoi qartë problemin. E hodhi “topin” tek politika, tek vendimmarrja, tek pushteti! Pra, mediat bënë punën e tyre, siç e bëjnë shpesh dhe në fund meritat për zgjidhjen e ndonjë problemi i marrin politikanët.
Mirënjohje të gjitha mediave, sidomos atyre që inicuan, nxitën dhe e bënë çështje të agjendës publike një të drejtë të fituar, e cila u takon shqiptarëve! E kishin normë të shkruar, e zezë në të bardhë, por nuk zbatohej. Mirënjohje edhe kontributit të ambasadorit të Shqipërisë, Denion Mejdani për zgjidhjen e këtij problemi! Por, sabri apo durimi do të na duhet ende sepse “nga e thëna në të bërë është një det i tërë”! Kështuqë presim fjalët të bëhen vepra! Kur flitet për provimin e jurisprudencës nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e gjuhës apo terminologjisë juridike, por më shumë për trajtimin dhe pozicionimin e shtetit karshi shqiptarëve, i cili nga diskriminues duhet të shndërrohet në shtet i mundësive të barabarta për qytetarët. Përfundimisht të drejtat duhet t’i garantojë shteti dhe jo të realizohen duke i kërkuar! Shqiptarët nuk janë lypsarë në shtetin e tyre!
Rëndom kur hapet “Kutia e Pandorës” mbi mosrealizimin e një të drejte, në rrjetet sociale dhe mediat tradicionale ndizet diskursi polarizues në bllokun shqiptar, edhe pse siç do të shihet ai nuk është tërësisht vendimmarrës. Pushteti është i centralizuar tek kryeministri dhe segmente të shumta të tij kontrollon partia e shumicës maqedonase, VMRO-DPMNE. Shpesh i bie që shqiptarëve u mpihen dhëmbët, ndërsa pala maqedonase i ha kumbullat!
VLENI hedh fajin me formulimin “magjik”: BDI-ja e ka fajin pasi gjatë 20 viteve nuk e ka zgjidhur provimin, ndërsa partia e Ahmetit kundërpërgjigjet: VLENI të mos arsyetohet, por të mbajë përgjegjësi dhe të zgjidh problemin.
Cezarit duhet dhënë atë që i përket Cezarit! Nëse ua do të mirën shqiptarëve VLEN-i e ka kohën, pas gati dy viteve pjesëmarrje në pushtet që të ndërpresë retorikën, që në thelb bazohet tek strategjia e shfajësimit dhe transferimit të përgjegjësisë “historike” tek BDI-ja. Siç edhe BDI-ja, nëse ua do të mirën shqiptarëve, duhet të jetë vetëkritike dhe të pranojë se megjithë lëvizjet pozitive në drejtim të avancimit të të drejtave kolektive shqiptare, sidomos në periudhën 2017-2024. kanë ngelur shumë çështje të hapura. Aq më tepër që qëllimisht disa çështje nuk i përmbyllte deri në fund në stilin “Hiqe e mos e këput”, duke i bartur nga një mandat në tjetrin dhe duke thënë se “Marrëveshja e Ohrit është materie e gjallë dhe ajo nuk do të përmbyllet asnjëherë”! Por, fakt është që provimi i jurisprudencës nuk është i sotëm, as i djeshëm dhe kjo parti si për ironi apo fatin e saj jo të mirë ka drejtuar në mënyrë konstante me Ministrinë e Drejtësisë, sidomos në periudhën 2002-2017. Pas kësaj periudhe ka pasur zëvendësministra dhe shumë poste drejtuese në prokurori dhe sistemin gjyqësor. Më kryesorja, Ligji i provimit të jurisprudencës është miratuar në shtator të vitit 2019, pa përkufizimin se shqipja mund të përdoret në të. Dështimin apo rënien nga provimi të kësaj partie e dëshmon edhe më shumë fakti se ky ligj u miratua plot një vit e tetë muaj pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në janar të vitit 2018, në të cilin eksponentë të BDI-së shpesh thirren me të drejtë. Prandaj dorëzimi i një projektligji të ri për provimin e jurisprudencës ishte PR jo i mirëmenduar! Këtu nuk amnistohet as Aleanca për Shqiptarët e Selës dhe e Taravarit, e cila drejtoi këtë ministri nga shkurti i vitit 2023 deri në qershor të vitit 2024. Pra nga përgjegjësia politike nuk shmanget askush!
Deklaratës së zëvendëskryeministrit Bekim Sali se “ka një mangësi në ligj, i cili nuk saktëson gjuhën, në të cilën duhet të jepet provimi i jurisprudencës”, por edhe dezinformatës së ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov se “Nuk mund të lejohet provimi në shqip, pasi ai teston njohjen e maqedonishtes”, kapakun ia vendosi shefi i qeverisë, Hristijan Mickoski. Me lehtësi në dukje përkatësisht me narrativë gjoja zemërgjerësie ndaj shqiptarëve u shpreh se “Shqipen e lejon ligji”! “U tha, u bë”. Foli zotëruesi i sferës politike!
VLEN-i pasi tha me ngulm se shqipja nuk është tërësisht zyrtare, gjë që është e vërtetë, që sipas tyre dëshmohet me faktin se edhe një provim shtetëror nuk mund të bëhet në shqip, një orë pas lejes së kryeministrit, doli me parulla pompoze apo llafe të mëdha “Me ne korrigjohen padrejtësitë historike”! Politika nuk duhet të jetë arti i hiperbolizimit të veprave të zakonshme të qeverisjes!
Në të vërtetë, Ligji i shqipes gjithmonë duhet të lexohet dhe interpretohet me dioptrinë objektive tekstuale dhe hermeneutike. Kur flitet për shqipen se është apo nuk është zyrtare, qëndrimet janë gjithmonë të ndara dhe kundërthënëse. Në pushtet “Atdheu im është Maqedonia e Veriut”, në opozitë “mbrojtës së shqiptarizmës”! Metodë e njohur, legjitime, por manipuluese. Politika nuk duhet të jetë art i mashtrimit të njerëzve!
Pa pretenduar se Ligji mbi gjuhët është ideal, tërësisht i qartë dhe lehtë i zbatueshëm nga institucionet e shtetit, politikanët, qofshin të pushtetit apo të opozitës duket se duhet ta mësojnë dhe ta dinë përmendësh nenin 7 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Ligjit të gjuhëve, i cili thotë:
“Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj. Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj”.
Ndërsa neni 2 i Ligjit thotë se shqipja është zyrtare në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, si dhe procedurat tjera të parapara me ligje tjera.
“Gjykatat, prokuroritë publike, si dhe të gjitha organet tjera, trupat dhe institucionet tjera janë të obliguara ta mundësojnë shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e cilësdo prej gjuhëve zyrtare nga neni 1”.
Fakti që lejohet përdorimi i shqipes në sistemin juridik të vendit, me sistem logjik dhe analogji juridike garanton përdorimin e shqipes në provimin e jurisprudencës. Në aspektin e shpjegimit të shkallëzuar, i bie që avokatit i lejohej përdorimi i shqipes, por jo edhe avokatit potencial. Nonsens!
Në fakt, zbatimi zyrtar i shqipes ka nisur me hiletë e palës maqedonase, të cilat shqiptarët i kanë ndjerë në rrugëtimin historik. Në vitin 2008 kur u miratua përdorimi zyrtar i shqipes, gjuha jonë lejohej në Kuvend, por jo edhe në qeveri edhe pse institucioni ligjdhënës është mbi atë ekzekutiv. Më vonë, paradoksi juridik u korrigjua!
Fitorja e provimit të jurisprudencës është e studentëve dhe e mediave, lavdi i mbetet Mickoskit se nuk është aq antishqiptar sa thuhet, politikës shqiptare i mbetet disfata e paketuar si triumfalizëm!



