Pakistani sulmon Afganistanin, dhjetëra të vrarë e të plagosur

Pakistani ka kryer sulme ajrore gjatë natës ndaj Afganistanit, që sipas Talebanëve kanë vrarë dhe plagosur dhjetëra persona, përfshirë gra dhe fëmijë. Qeveria e Pakistanit tha se sulmet kishin synuar shtatë kampe dhe strehimore të dyshuara të militantëve pranë kufirit, si një përgjigje ndaj sulmeve vetëvrasëse të fundit në Pakistan.

Afganistani e ka dënuar aksionin, duke thënë se objektiva ishin shtëpi civile dhe një shkollë fetare. Ministria e mbrojtjes e Talebanëve tha se sulmet preknin zona civile në provincat Nangarhar dhe Paktika. Një nga sulmet ka vrarë rreth 20 anëtarë të një familjeje, përfshirë gra dhe fëmijë.

Pakistani i ka quajtur sulmet “selektive  dhe të bazuara në inteligjencë”, duke pretenduar se objektivat përfshinin anëtarë të Tehreek-i-Taliban Pakistan dhe Shtetin Islamik-Khorasan. Ministria e informacionit i cilësoi ato si një “përgjigje hakmarrëse” ndaj sulmeve terroriste që, sipas saj, u mbështetën nga Kabul.

Talebanët e Afganistanit e kanë dënuar veprimin si një “shkelje të hapur të integritetit territorial” dhe kanë paralajmëruar për një “përgjigje të përshtatshme në kohën e duhur”, duke theksuar se sulmet mbi civilët dhe institucionet fetare tregojnë dështimin e ushtrisë pakistaneze në inteligjencë dhe siguri.

Sulmet vijnë pas një armëpushimi të pasigurt që dy vendet kishin nënshkruar në tetor, pas përleshjeve më të rënda kufitare që nga rikthimi i Talebanëve në pushtet në 2021. Pakistan dhe Afganistani ndajnë një kufi malor prej 2,574 km.