Pakistani bllokon faqen e Wikipedia-s

Autoritetet pakistaneze kanë bllokuar qasjen në enciklopedinë online, Wikipedia, me arsyetimin se nuk e ka hequr përmbajtjen që e konsideron blasfemike. Pamjet që përshkruajnë Profetin Muhamed konsiderohen blasfemi për shumë myslimanë.

Autoriteti pakistanez i Telekomunikimeve, i ka dhënë Wikipedias një paralajmërim 48-orësh për heqjen e përmbajtjes që ka kërkuar dhe më pas e ka bllokuar faqen. “Platformës i është dhënë mundësi për reagim, mirëpo ajo nuk ka vepruar dhe nuk e ka hequr përmbajtje blasfemike dhe as nuk është paraqitur para autoritetit”, ka thënë një zëdhënës pakistanez.

Ky vendim ka nxitur zemërim te shume përdorues të rrjeteve sociale.

“Ndalesa ndaj Wikipedias është jokushtetuese dhe goxha qesharake”, ka thënë Usama Khilji, aktivist për të drejtat digjitale në Pakistan.

“Ky vendim do të prekë studentët, akademinë, sektorin e shëndetit publik, hulumtuesit, do të ulë vullnetin për investime në Pakistan, pas paqartësive dhe censurave arbitrare”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Wikipedia është platformë në të cilin mund të ketë qasje në ndryshim të materialeve secili që ka llogari dhe se këtë gjë kanë mundur ta bëjnë autoritetet pakistaneze, në vend që të vendosin bllokadë.

YouTube dhe faqe tjera po ashtu janë përballur disa herë me bllokada në Pakistan, me arsyetimet se kanë përmbajtje jo të moralshme./REL