Mijëra myslimanë në një qytet në Pakistan i kanë vënë zjarrin të paktën katër kishave dhe vandalizuan shtëpitë e të krishterëve me pretendimet se dy burra kanë përdhosur Kuranin.
Banorët thanë siç shkruan bbc, se një duzinë ndërtesash të lidhura me kishat në Jaranwala, në Punjab lindor, u dëmtuan.
Policia ka arrestuar më shumë se 100 protestues dhe ka nisur një hetim mbi dhunën.
Autoritetet thonë se situata në Jaranwala mbetet e tensionuar.
Policia gjithashtu ka paraqitur një kallëzim kundër dy banorëve lokalë të krishterë sipas ligjit të blasfemisë, i cili mbart dënimin me vdekje.
Një ligj i shekullit të 19-të që ndëshkonte blasfeminë u krijua nga britanikët në kohët koloniale. Por në vitet 1980, autoritetet vendosën dënime më të rrepta për shkeljen e ligjit, duke përfshirë një dënim me vdekje për këdo që fyen Islamin.
Rreth 96% e popullsisë së Pakistanit janë myslimanë. Vende të tjera, duke përfshirë Iranin, Brunein dhe Mauritaninë, vendosin gjithashtu dënimin me vdekje për fyerje të fesë.




