Në mbledhjen e Kuvendit të Lëvizjes Besa, kryesia e partisë u shkarkua në tërësi, si hap formal drejt procesit të bashkimit të koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik, transmeton TV21. Vendimi u interpretua në opinion si një lëvizje strategjike e kryetarit Bilall Kasami, e cila, sipas komenteve politike, mund të ketë për qëllim edhe largimin e nënkryetarit Fatmir Limani, pas kritikave të mëhershme të Kasamit për performancën e ministrave në Qeveri.
Ndërkohë, tensioni brenda në degën e Kërçovës tashmë ka shpërthyer, ku një grup zyrtarësh lokalë ka publikuar një kumtesë me vendime për shkarkime brenda degës, duke u thirrur në shkelje të statutit dhe mungesë aktiviteti politik.
“Për mosaktivitet dhe shkelje të statutit, shkarkohet kryetari i degës Agim Sadiku.
Nga kryesia shkarkohen dhe largohen Bejtulla Emini, Valbona Adili Emini dhe Rexhep Asani”, thuhet në kumtesën e degës së Kërçovës.
Kumtesea njofton gjithashtu emërimin e ushtruesve të detyrës për kryetar dhe sekretar të degës deri në kuvendin e ardhshëm lokal.
Por reagimi zyrtar nga qendra e Lëvizjes Besa ka qenë i menjëhershëm, duke e cilësuar këtë kumtesë si të pa bazë juridike dhe si tentativë për destabilizim të procesit të bashkimit të VLEN-it.
“Sqarojmë opinionin publik se Dega e Lëvizjes BESA në Kërçovë, me kryetar Agim Sadikun, sekretar Rexhep Asanin, anëtarët e kryesisë Valbona Adili Emini dhe Bejtulla Eminin, si dhe anëtarësinë e saj, si të gjitha degët e tjera, i nënshtrohet moratoriumit të shpallur të aktiviteteve partiake me qëllim bashkimin e VLEN-it në një subjekt. Këto që shohim sot janë tentativa të motivuara nga jashtë për ta dëmtuar Lëvizjen BESA”, theksohet në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Ndërkaq, nga partia sqarojnë se Kuvendi Qendror më 12 shkurt ka shkarkuar kryesinë dhe ka autorizuar kryetarin Kasami të vazhdojë negociatat për bashkimin e VLEN-it, ndërsa individi që ka nënshkruar kumtesën e degës së Kërçovës është shkarkuar nga Kuvendi Qendror./TV21



