Pak të interesuar për të pasur qasje në hetim

Numri i pacientëve me kancer që duan të kenë qasje në hetimin e Prokurorisë për skandalin në Klinikën e Onkologjisë është shumë i ulët. Ata ngurrojnë të paraqiten por edhe të flasin, ngaqë disa pacientë që kontaktoi TV21, nuk deshën të deklarohen para kamerës e as të shprehin ndonjë qëndrim se përse nuk duan të përcjellin rrjedhën e hetimit. Edhe nga grupi “Fluturat” të cilët e kanë iniciuar këtë kërkesë në Prokurori, shprehen të zhgënjyer që pacientët e Onkologjisë po qëndrojnë pasivë kundrejt kësaj thirrjeje dhe nga postimi i tyre në Facebook.  Deri tani interes kanë shprehur vetëm dy pacientë.

“Është për të ardhur keq që numri i atyre që veprojnë është shumë i vogël, por le të shpresojmë se do të rritet. Të gjithë ata që do të aplikojnë publikisht për këtë post do të dërgohen në PPTh.”- deklaroi Ana Marjanoviq, paciente, grupi Fluturat.   

 

Të gjithë që duan, mund të paraqiten në një postim që është shpallur në grupin e Facebookut “Cancer Triumpherse”. Kushti i vetëm është që të jenë vetë pacient në Onkologji ose të afërm të pacientëve.

“Bëmë një postim në Cancer Triumphers! Fituesit e kancerit! Për të gjithë ata që duan të regjistrohen vullnetarisht do të përcillen në PPTh, kushti i vetëm që kemi është që të jenë vetë pacientë onkologjikë, ose të kenë dikë të afërm që njeh golgotën në Onkologji.”- tha Ana Marjanoviq, paciente, grupi Fluturat.   

Mbetet e paqartë se si do të përzgjidhen pacientët, meqë nga grupi “Flutura” të gjitha kontaktet e pacientëve i dërgojnë drejtpërdrejt në Prokurori, ndërsa nga Prokuroria thonë se përzgjedhjen duhet ta bëjë vetë grupi.

“Në vetë njoftim thuhet se u lihet propozuesve të përcaktojnë mënyrën e regjistrimit dhe përzgjedhjes së pacientëve, për të garantuar paanshmërinë e përzgjedhjes. Ata duhet të dorëzojnë në Prokurori vetëm listën e të dhënave të kontaktit të personave. Prokuroria Themelore në Shkup pret të marrë të dhënat, pas së cilës personave menjëherë do t’u sigurohet një pasqyrë e rrjedhës aktuale të procedurës.”- thanë nga Prokuroria Themelore Publike.

 

 

TV21 pyeti edhe në Ministri të Shëndetësisë për informacionet që kanë se si po rrjedh procedura në Prokurori dhe rreth gjendjes aktuale në Onkologji, por nuk morëm përgjigje.