Pak ditë dhe shumë procedura para formimit të qeverisë

Ka filluar numërimi mbrapshtë i dhjetë ditëve të fundit të afatit 20-ditor që ka në dispozicion mandatari Zoran Zaev për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Ligjërisht afati skadon më 2 shtator, por në këtë ditë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti është thirrur për të dëshmuar para hetuesve të Gjykatës Speciale për krimet e luftës dhe shumica parlamentare dhe shumica parlamentare mbetet me 61 deputetë fiks që nuk lejon hapësirë për asnjë mungesë tjetër eventuale në atë ditë. Por, votimi i Qeverisë duket që nuk do të ndodhë edhe për disa ditë. Përveç përplasjeve në BDI që u shkaktuan pas revoltës së degëve të Çairit dhe Sarajit ndaj propozimit të ministrave Bujar Osmani dhe Artan Grubi, votimin e Qeverisë do ta shtyjnë edhe procedura të tjera të cilat janë shfaqur si prioritare dhe kusht para seancës për zgjedhjen e ekzekutivit.

Pasi disa nga deputetët e LSDM-së, përfshirë edhe vetë mandatarin Zoran Zaev, janë propozuar për kryeministër dhe ministra, ata duhet të lirojnë mandatin e deputetit dhe në vend të tyre në Kuvend të ulen kandidatët e tjerë me radhë nga lista e koalicionit “Mundemi”. Për këtë shkak, Kuvendi para votimit të Qeverisë do të duhet të konstatojë dorëheqjet e kandidatëve për ministra dhe më pas të konstatojë mandatin e deputetëve të rinj. Ndryshim të këtillë duket që do të ketë edhe në BDI, pas dorëheqjes nga deputeti Florin Besimi. Ai dje njoftoi se mandatin do ta kthejë për shkaqe parimore dhe për të mos rënë ndesh me ligjin për konflikt interesi, pasi vëllau i tij Fatmir Besimi është nominuar për ministër i Financave. Kështu në vend të tij në Kuvend duhet të konstatohet mandati i kandidatit tjetër me radhë nga lista e BDI-së, Bedri Fazliu nga Komuna e Zhelinës. Nga shumica e re parlamentare njoftojnë se përveç mandatit të deputetëve të rinj, ditëve në vijim duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët e Kuvendit dhe të përmbushen edhe disa procedura të tjera parlamentare./SHENJA/