Pajisja e oligarkut prorus me shtetësi të Maqedonisë, Osmani: Të zbardhet rasti, pastaj të shohim si do të veprojmë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot tha se pret që institucionet përkatëse të zbardhin rastin ku oligarku ukrainas i afërt me Rusinë, Oleksandr Onyshenko ka marrë shtetësi të Maqedonisë, përcjell TV21. Osmani thotë se pret që të shihet nëse i emëruari për ambasador në Francë, Viktor Dimovski, ka të bëjë diçka me këtë rast, marrë parasysh se ai ka qenë në krye të Agjencisë për Siguri Kombëtare në kohën kur Onyshenko është pajisur me shtetësi.

“Nuk mund ta komentoj këtë çështje deri sa nuk zbardhet rasti sepse kemi disa informacione fillestare megjithatë pres që institucionet fillimisht të shohin nëse ka diçka kontestuese në atë rast, më pas të shohim nëse ne duhet të ndërmarrim diçka”, tha mes tjerash Osmani./tv21.tv

Ndryshe, oligarku ukrainas Oleksandr Onyshenko, sipas BIRN është i arratisur nga drejtësia në Ukrainë dhe njëkohësisht është nën sanksionet e SHBA-së si pjesë e një rrjeti rus për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, më 31 maj. Këtë skandal e publikoi rrjeti për gazetari hulumtuese BIRN, ku u njoftua se i njëjti ka marrë shtetësi të Maqedonisë së Veriut.

Onyshenko, i cili u pasurua në biznesin e gazit, është në arrati që nga viti 2016 pasi ndaj tij u hap një hetim në Ukrainë për korrupsion dhe pastrim parash dhe që nga janari i vitit të kaluar ai është në listën e personave të sanksionuar në Shtetet e Bashkuara. Në procesverbalin e seancës së Qeverisë së 31 majit, thuhet se Qeveria e ka shqyrtuar kërkesën e Onishenkos për pranim në shtetësi dhe ka konstatuar mendim pozitiv për kërkesën, duke marrë parasysh marrin parasysh opinionin pozitiv të Agjencisë për Rini dhe Sport./tv21.tv