Pajaziti: Kryetari Dimitrievski nuk i respekton detyrimet ligjore ndaj shqiptarëve

“Kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski është nga më të zëshmit për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit.

Por, kur vjen puna se sa ai i respekton ato, mjafton një vështrim i thjeshtë në faqet zyrtare të Komunës dhe të kryetarit në Facebook, e shohim se standardet e tij ndryshojnë kur bëhet fjalë për detyrimet ndaj qytetarëve shqiptarë.

Të gjitha postimet zyrtare informuese janë vetëm maqedonisht, përfshirë edhe emrin e faqes zyrtare të komunës së Kumanovës. Shtrohet pyetja: Ku është gjuha shqipe dhe pse nuk po e respekton ligjin?

Me regjistrimin zyrtar të vitit 2021, afër 26% e banorëve në Kumanovë janë shqiptarë dhe bazuar në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, çdo komuna apo institucion komunal ka detyrim ligjor dhe institucional që komunikimin zyrtar me publikun (përfshirë edhe hapësirat digjitale) ta bëjnë si në maqedonisht, ashtu edhe në shqip.

Pa e zgjatur shumë, zotëri kryetar, po the se respekton ligjin, atëherë zbatoje në çdo vend – duke nisur që nga faqja jote zyrtare. Barazia dhe respekti për qytetarët nuk tregohen me fjalë, por me vepra!

P.S.

Për herë të dytë a tretë për vite me radhë po e trajtojmë këtë temë dhe s’ka asnjë përmirësim!”

*Status facebook’u i gazetarit Naser Pajaziti